Profili i Jules Bianchi

05/10/2014 00:00

Me origjinë nga Milano e Italisë, por me pasaportë franceze, Jules Bianchi është lindur në Nicë dhe mbushi 25 vjeç më 3 Gusht të këtij viti.

Talenti i ri e ka nisur karrierën si pilot në seritë e të vegjëlve, nga Formula Renault, te Karting, por kur ishte më pak se 20 vjeç mori pjesë në garat e pilotëve të rinj të akademisë së Ferrarit.

Bianchi debutoi në Formula 1 vitin e kaluar, duke drejtuar një Marussia, por kishte tërhequr vëmendjen dhe kishte spikatur si një pilot tepër i talentuar garash edhe duke qenë pilot i tretë i Force Indias, një vit më parë. E megjithatë atëherë nuk kishte kryer as edhe 1 garë të vetme.

Gjatë vitit të tij të parë në Formula 1, piloti francez edhe pse nuk kishte një makinë kompetitive, ka dhënë shkëndijat e një talenti në garim, duke rënë edhe në sytë e Ferrarit.

Edhe vitin e kaluar skuderia italiane kishte kryqëzuar rrugët me francezin, kur drejtuesit e Maranellos e kishin përcaktuar atë, së bashku me Pedro de la Rosan, si pilot për testimet mbi gomat në vitin 2014.

Pikët e para në Formula 1 i ka fituar në Çmimin e Madh të Monakos, këtë vit, duke u renditur në vendin e 9. Pikët e para në karrierën e tij, por edhe për skuderinë Marussia.

Top Channel