Hetimet për korrupsionin e zyrtarëve

05/10/2014 00:00

Pas ndryshimeve në ligj, ku vepra e korrupsionit prej disa muajsh është nën juridiksionin e Krimeve të Rënda për t’u hetuar, kjo e fundit deklaron se ka disa zyrtarë nën hetim, por pa bërë publik identitetin e tyre deri në finalizmin e veprimeve hetimore.

Jo zyrtarisht mësohet se prokurorët kanë përfunduar hetimet dhe kanë dërguar për gjykim dosjen e parë që do të gjykohet tek Krimet e Rënda për veprën e korrupsionit.

Bëhet fjalë për ish-gjyqtarin e Pogradecit Dhimitër Pojanaku, nën akuzë për korrupsion pasiv. Në kërkesën për gjykim prokuroria i thotë gjykatës se dosja u rregjistrua më prill të këtij viti, kur shtetësja B. Rushiti u paraqit me një kallëzim në të cilin ajo pretendon se kishte pesë vjet që po zvarritej për një gjyq civil dhe se në çështjen civile në Gjykatën e Pogradecit avokatja e saj kishte depozituar dy kërkesa, njërën për përjashtim dhe tjetrën për pezullimin e gjyqtarit Pojanaku.

Por gjyqtari, thuhet në kallëzim, i ka thënë avokatës se nuk ishin në kushtet për t’u dorëhequr dhe më pas i ka ofruar një zyrë me qira me qëllim që ajo të tërhiqte klientë. Vetëm pas këtij veprimi, thotë prokuroria, gjyqtari e ka lënë çështjen, por më pas i ka kërkuar avokates 45 mijë lekë për dorëheqjen nga gjykimi.

Këtë shumë, thotë prokuroria, gjyqtari e ka marrë në dy këste prej kallëzueses. Këstin e parë prej 20 mijë lekë më datën 13 prill tek dera e shtëpisë së tij dhe këstin e dytë prej 25 mijë lekë e ka marrë në rrugë.

Prokuroria thotë se këto veprime janë përgjuar dhe filmuar. Ndërkohe tek Krimet e Rënda në referim të ndryshimeve ligjore Prokuroria e Vlorës ka shpallur moskompetencën dhe ka dërguar tek Krimet e Rënda edhe dosjen e ish-kryetares së  përmbarimit të këtij qyteti, Algerta Fejzulla, e cila u arrestua së bashku me një avokate për 50 mijë lekë.

Në hetim te Krimet e Rënda ndodhet aktualisht edhe kryetari i Komunës Bërzhitë i prangosur për 4500 euro.

Top Channel