Dramë, Bianchi operohet në tru, në koma

05/10/2014 00:00

Piloti francez i Marussias është në gjendje kome pas incidentit të ndodhur gjatë garës së ditës së dielë në Suzuka të Japonisë. Megjithatë, burime nga spitali bëjnë me dije se ai nuk ka ndalur frymëmarrjen në mënyrë të pavarur.

I ati i tij, i cituar nga media të huaja, njoftoi se Jules është operuar nga mjekët e Poliklinikës Universitare të Mie-s, 15 km larg Suzukës, për të reduktuar një hematomë në kokë dhe pas operacionit do të dërgohet në terapi intensive. Gjendja e tij është ende kritike.

***

Ka përfunduar përpara kohe gara për Çmimin e Madh të Japonisë, të zhvilluar këtë fundjavë në pistën e Suzukas, ku janë zhvilluar vetëm 47 xhiro. Një garë, e cila është vënë në diskutim që në momentet e para të nisjes së saj, pasi ende nuk dihej nëse do të garohej apo jo nën kushtet e vështira të motit, i cili premtonte reshje të dendura madje edhe tajfun.

2 xhirot e para u zhvilluan nën udhëheqjen e “Safety Car”, e më pas gara u ndërpre për pak kohë, për të rifilluar pas rreth 20 minutash deri në momentin e xhiros së 47 (3 të fundit nën regjimin e Safety Car). Në këtë moment, Hamilton mbante kryesimin e garës, i ndjekur nga shoku i tij i skuadrës Nico Rosberg, ndërsa më pas vinin dyshja e “Red Bullit” Vettel-Ricciardo.

Por, më i rëndësishëm është incidenti që ka ndodhur në një kthesë nga Jules Bianchi, i cili ka humbur kontrollin e makinës së tij dhe është përplasur me një vinç që po largonte makinën e Adrian Sutil, të aksidentuar pak çaste më parë, pas të cilit frika ka pushtuar botën e Formula 1 mbi fatin e pilotit të Marussias.

Drejtuesit e garës thonë të mos spekulohet me informacionet, por raportimet e para flisnin për një transport të tij me ambulancë në një spital, pasi ai kishte humbur ndienjat. Edhe mjeku i skuderisë Marussia, Matteo Bonciani, shprehet se gjendja e pilotit është e rëndë.

FOTO GALERI
2/10

Top Channel