“Thatësirë” golash në Superiore

04/10/2014 00:00

Dy supersfidat hapëse të javës së shtatë të Katëgorisë Superiore përfunduan me rrjeta të paprekura duke mos ndryshuar gjendjen për kreun e tabelës.

Në Tiranë, Partizani dhe Flamurtari barazuan 0-0 dhe përpjekjet e zbehta të të dyja skuadrave ishin të pamjaftueshme për të ndryshuar atë.

Në Korçë, Skënderbeu dhe Tirana barazuan po 0-0, por ndryshe nga takimi i Tiranës, takimi ishte disi më i ndezur dhe këtë e tregojnë edhe dy kartonët e kuq, fillimisht për Tiranën në minutën e 48 dhe më pas për Skënderbeun në minutën e 59.

Për t’u përmendur në këtë takim ishte prania e tifozëve “të kollarisur” të Tiranës, si shenjë proteste ndaj vendimit që e ndeshkon me 15 takime pa tifozë, për shkak të dhunës së regjistruar në Shkodër. Megjithatë, pavarësisht kësaj, edhe takimi me Skënderbeun regjistroi një incident të vogël. Kur tifozët shpalosën parrullën “Sport, Punë, Kalitje”, forcat e policisë e hoqën atë.

Pas këtyre ndeshjeve dhe në pritje të takimeve të tjera të javës së shtatë, Tirana, Flamurtari dhe Partizani kryesojnë me nga 12 pikë, të ndjekur nga Skënderbeu me 11 pikë.

Top Channel