Shkatërrimi i kanioneve të Lengaricës

04/10/2014 00:00

Ambientalistët i kërkojnë qeverisë të ndalë punimet për ndërtimin e HEC-it të Lengaricës në komunën Petran të Përmetit e cila është një zonë e mbrojtur natyrore.

“Ne jemi kategorikisht kundër për të vazhduar punimet në këtë lumë sepse ka 8 mijë litra për sekondë ujë, ku 8 mijë i merren dhe 200 litra për sekondë i lihen. Pra proporcioni është 2.5 me 97.5 përqind në një vend ku kemi shtëpinë e parë të njerëzimit në botë; aty është Shpella e Pëllumbasit, ku kemi 8 burime termale. Kemi edhe një kanion që ja kalon për nga bukuria kanionit të Kolorados, do ngelen të thara në dritën e diellit”, thotë ambientalisti Sazan Guri.

Ambientalistët thonë se kontratat koncensionare për ndërtimin e HEC-eve po kërcënojnë edhe shumë zona të tjera sic është Valbona, malet e Shebenikut në Librazhd, Kukësin, Dibrën etj. Ata kërkojnë ndryshimin e ligjit për menaxhimin e burimeve ujore dhe adaptimin e standardeve ndërkombëtare, sipas të cilave prurjet energjetike nuk duhet të kalojnë 33 % të prurjeve të lumenjve.

“Sipas ligjeve ndërkombëtare, 33.3 përqind sasi uji që quhet prurje ekologjike është e paprekur. 33.3 të tjera është prurje bujqësore dhe pjesa tjetër është pjesa teorike që mund t’i merret një sistemi lumor”, thotë Guri.

Përmes një letre drejtuar kryeministrit Rama, Ministrisë së Energjisë dhe Mjedisit, ambientalistët kërkojnë shpëtimin e lumenjve, sic shprehen ata, nga rreth 300 kontrata koncensionare të miratuara më parë.

Top Channel