Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni, inspektoi punimet që po kryhen në lagjen “Kushtrimi” në Vlorë, në kuadër të “Projektit-Pilot për Zonën Informale”.

Ministrja Gjermeni u takua me banorët dhe bisedoi edhe për disa problematika të kësaj zone informale.

“Përqasja që kemi zgjedhur për hartimin dhe realizimin e këtij projekti-pilot krijon mundësinë që të tregojmë vizionin si ne i mendojmë zonat informale të integruar në zhvillimin urban. Mendoj që ky projekt krijon hapësirën dhe mundësinë që ta replikojmë në pjesë të tjera të Shqipërisë. Po mbështesim me një fond prej 100 milionë lekë të reja këtë projekt në Vlorë”, tha Eglantina Gjermeni.

“Projekti-Pilot për Integrimin e Zonës Informale, Vlorë” është një prej projekteve të financuar nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve. Faza e parë konsiston në zgjerimin e rrugëve dhe shtrimin e infrastrukturës nëntokësore, sistemimin dhe shtrimin e trotuareve si dhe elektrifikimin dhe ndriçimin publik të zonës. Faza e parë, e parashikuar të përfundonte në nëntor, do të mbyllet në mesin e tetorit.

Faza e dytë parashikon ndërtimin e një kopshti, kënde lojërash për fëmijët dhe parkim publik. Ky investim prej 100 milionë lekë parashikon sistemimin dhe urbanizimin e zonës, duke i dhënë asaj parametrat normalë urbanë.
 

Top Channel