Liço braktiset nga familja,lihet në arrest me burg

04/10/2014 00:00

I braktisur nga familja dhe ende pa asistencë ligjore, Maksim Liço mori nga Gjykata e Tiranës, masën e sigurisë, arrest me burg.

Maksim Liçon, u denoncua nga emisioni investigativ, teksa kërkonte seks nga një 16-vjeçar, i prezantuar si jetim.

Prokuroria e Tiranes i ka sekuestruar nga Top Channel pamjet filmike dhe bisedat virtuale mes Liços dhe djaloshit të prezantuar si jetim. Nga ana tjetër, akuza kryeqytetase, në një fazë të mëvonshme do të procedojë me marrjen në pyetje të fëmijëve të strehuar në shoqatën “Jetimët në fokus”.

Braktiset nga familja, s’ka avokat

Mbi Maksim Liçon, përveç presionit të opinionit publik që e dënoi me forcë aktin e tij dhe reagimit të menjëhershëm të agjencive ligjzbatuese, duket se po rëndon edhe trysnia e vetë familjes së tij. Nga ana tjetër atë nuk e mbron asnjë avokat. Burime të sigurta pranë Policisë së Tiranës thanë për gazetën “Shqip” se gjatë këtyre dy ditëve, nga e mërkura, kur iu vunë prangat teksa pinte uiski në një lokal në qendër të Tiranës, e deri dje në orët e mbrëmjes, asnjë i afërm nuk është paraqitur për t’u takuar me 50-vjeçarin. Ai është i martuar dhe ka 2 fëmijë. Asnjë i afërm nuk rezulton të ketë shfaqur interes për t’u takuar, teksa ndodhet në paraburgim. Përveç pendesës së shfaqur pardje në polici dhe kërkesës nga ana e tij për t’i dhënë një tjetër shans, një tjetër zhvillim i fazës hetimore është fakti që deri më tani, ai apo familja nuk kanë pajtuar asnjë avokat për ta mbrojtur. Në këto kushte, pritet caktimi i një avokati kryesisht, nga gjykata.

Policia e Tiranës, në njoftimin zyrtar shprehej se “Më datë 2 tetor, ora 02.00, u bë ndalimi i shtetasit Maksim Apostol Liço, 50 vjeç, banues në Kombinat Tiranë, me funksion kryetari i shoqatës ‘Jetimët në fokus’, duke shpërdoruar detyrën dyshohet se u ka ofruar favore jetimëve (personave të ndryshëm të mitur dhe jetimë) në këmbim të kryerjes së marrëdhënieve seksuale dhe homoseksuale. Veprat penale parashikohen nga nenet 108/a/2 dhe 105 të Kodit Penal”.

Këtë të mërkurë, Maksim Liço u shfaq në ekranin e Top Channel, ku emisioni investigativ “Fiks Fare”, kishte angazhuar një 16-vjeçar, që iu prezantua atij si jetim dhe kërkonte ndihmë. Kulmi i bisedave në Facebook dhe në telefon, mes tyre ishin frazat e thëna nga Liço: Pres që të marr ca lekë, që të të jap ndonjë lek edhe ty. Dua seks, si mbrëmje që është. Dua të më eksitosh. Dua ta dëgjoj nga ty, si ke qejf, çfarë ke qejf. Po e kam bërë edhe me 14, edhe me të moshës tënde. Çfarë zëri të ëmbël që ke ore…

 

Top Channel