“Italishtja në familje” është kursi i gjuhës italiane i cili do të transmetohet nga 6 tetori në kanalin Junior TV në Digitalb. Një kurs multimedial për të mësuar gjuhën italiane, i realizuar nga Zyra Shkollore e Brescias, mbështetur nga Digitalb për transmetimin në Shqiperi dhe Ambasada Italiane në vendin tonë.

Prezantimi i projektit u bë pranë ambienteve të kësaj ambasade. Për Drejtorin i Programacionit të Digitalb, Agim Poçari, ky program është një vlerë e shtuar e emisioneve edukative që transmetohen në këtë platformë.

“Italishtja në familje është një kurs multimedial, që mund të ndiqet në tv, por edhe në faqen e internetit. Kursi është në dy nivele: një për fillestarë dhe tjetri për komunikim më të avancuar. Kursi u drejtohet atyre që duan të studiojnë italishten nëpërmjet një sitcom-i. Janë ngjarjet e familjes Fappani.  Është një mënyrë zbavitëse për të mësuar gjuhën italiane”, thotë Patrizia Capoferri, autore “Italishtja në familje”.

“Jam gjithmonë e më shumë e bindur se të studiosh italishten do të thotë të krijosh një urë reciprociteti mes dy vendeve tona. Kemi nevojë për njëri-tjetrin. Situata historike dhe ekonomike ka ndryshuar. Italishtja është një burim jo vetëm historiko-kulturor, por po bëhet gjithmonë e më shumë si një burim për ndryshime kulturore, por mbi të gjitha ekonomiko-tregtare”, deklaron Monica Guzzini Turelli, Drejtore e Zyrës Shkollore të Ambasadës Italiane.

“Besoj se ky kurs multimedial mund të ndihmojë në forcimin e së ardhmes profesionale të të rinjve shqiptare që do ta ndjekin. Njohja e italishtes është një mundësi edhe për të gjetur punë. Këtu ka mbi 400 ndërmarrje italiane, ose të tjera që bashkëpunojne me Italinë, të cilat janë një mundësi e rëndësishme për ata që kërkojnë punë. Vetëm në sektorin e call center janë punësuar në dy vitet e fundit 12 mijë persona. Kërkesa kryesore për t’i punësuar ishte pikërisht gjuha italiane. Mjafton të mendohet se 40% e shkëmbimeve me jashtë të Shqipërisë janë me Italinë.
Këshilla ime është investoni në gjuhë të huaja dhe do të keni më shumë mundësi për punë”, tha Massimo Gaiani, Ambasadori Italian në Shqipëri.

“Projekti ka nisur në 2007 me nevojën për t’u dhënë të rriturve, familjeve të huaja, mundësinë për të mësuar kulturën italiane. Me këtë kurs mësohet gjuha, por edhe zakonet e italianëve”, deklaron Mario Maviglia, Zyra Shkollore Rajonale për Lombardinë.

“Italishtja në familje” do të transmetohet cdo të hënë dhe të enjte, ora 19.00 në Junior TV.

Top Channel