Rindërtimi i qyteteve, investime në Gramsh

03/10/2014 00:00

Krahas qyteteve kryesore në vend nuk mbeten jashtë vëmendjes së
investimeve nga Fondi Zhvillimit të Rajoneve, edhe ato të vogla e
periferike siç është Gramshi.

Fondi, prej 40 milionë lekë është përdorur për ndërtimin e lulishtes përpara Pallatit të Kulturës dhe një tjetre në qendër të Gramshit, të cilat janë vizituar nga Kryeministri Edi Rama.

Duke ecur përgjatë ‎rrugës kryesore të qytetit kryetari bashkisë Dritan Bici e njohu Kryeministrin me nevojën për të tjera investime.

“Këto janë fondet e para për Gramshin.Qeveria e kaluar, për 3 vjet asnjë fond. Ju falenderojmë për këto ndryshime që kanë nisur”, thotë Bici.

Në ndalesën përpara tregut të qytetit ku ka nisur reabilitimi përshi asfaltimin e rrugës në këtë zonë që njihet si informale, Kryeministri Edi Rama u shpreh se shumë shpejt do të nisë edhe ndërtimi dy rrugëve lidhëse në hyrje dhe dalje të Gramshit.

“Rruga e re fillon së shpejti dhe është një rrugë realisht piktoreske, që lidh Gramshin ashtu si duhet me pjesën e poshtme, nga ana e Elbasanit dhe më pas do të bëjmë edhe lidhjen tjetër me Korçën. Kështu që, nuk do ketë një hyrje dhe një dalje, por keni edhe hyrje dhe dalje nga të dyja anët. Ndërkohë që ne biseduam që menjëherë të vazhdojmë me projektin e qendrës. Tani që u ndërhy në këtë zonë që ishte një tmerr dhe praktikisht bëhet si një qendër e vogël e qytetit, këtu të bëjmë edhe një shtesë tjetër, me një projekt të vogël, për të rehabilituar të gjithë godinat e vjetra, në mënyrë që të marri një pamje shembullore dhe të jetë një qendër që rrezaton shpresë dhe besim edhe te të tjerët”, tha Rama.
 
Në kthim nga Gramshi, kreu i Qeverisë qëndroi edhe në qytetin e Elbasanit për të parë se si është duke vijuar puna në transformimin e këtij qyteti, ku bie në sy vendosja e ndriçimit të në dyja anët e bulevardit përfshi lyerjen e fasadave të pallateve.

Top Channel