Kjo e premte ishte Dita Ndërkombëtare e Buzëqeshjes, por  etika duket se nuk ka buzëqeshur në prokurori. Një incident për të cilin ka dy versione ka përfshirë dy prokurorë dhe kreun e organit qendror të akuzës gjatë mbledhje së përgjithshme të prokurorëve në të cilën do të votohej për zgjedhjen e anëtarit të Bordit të Magjistraturës.

Takimi ka marrë drejtim të paparashikuar menjëherë pasi në Bordin e Magjistraturës u zgjodh prokurori Dritan Rreshka. Në këtë moment, thonë burimet për Top Channel, jashtë rendit të ditës Sekretarja e Shoqatës së Prokurorëve, Ida Ahmetlliu ka propozuar shkarkimin si kryetar të Shoqatës së prokurorëve Shkëlqim Hajdarin.

Kaq ka mjaftuar që të dy prokurorët të debatojnë e të ngrënë tonet, duke replikuar dhe fyer njëri-tjetrin. Mediat raportuan gjatë ditës se në incident është përfshirë edhe Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla i cili ka ndërhyrë duke  kërkuar largimin nga mbledhja të dy prokurorëve, ndërkohë që pas fyerjeve thuhet se Prokurori i Përgjithshëm ka goditur me grusht Kryeprokurorin e Apelit, Shkëlqim Hajdari.

Por ky version u rrëzua nga Zyra e Shtypit e kreut të organit qendror të akuzës, e cila thotë se gjatë momentit të votimit, dy prej anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës së Prokurorëve, e cila është një organizëm jofitimprurës jashtë institucionit zyrtar, kanë debatuar në afërsi të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla.

“Duke qenë se tonet e debatit ndërmjet anëtarëve të Kryesisë së Shoqatës kanë qenë të larta, Prokurori i Përgjithshëm ka kërkuar nga dy diskutantët që të largohen nga salla për të qetësuar situatën e debatit dhe gjithçka vijoi në normalitet”, thuhet në deklaratë.

Në deklaratë vijohet më tej duke shpjeguar se “Prokuroria e Përgjithshme duhet të sqarojë median dhe opinionin publik se Kryeprokurori Adriatik Llalla nuk ka qenë i përfshirë në diskutime dhe në incident.  

I kontaktuar nga Top channel Kryetari i Shoqatës së Prokurorëve Shkëlqim Hajdari e njëkohësisht kreu i Apelit të Tiranës, tha se nuk ka asnjë koment për të bërë. “Unë as kam goditur dhe as më kanë goditur. Për çdo gjë kam njoftuar Presidentin dhe Kryeministrin dhe pres që ata të zgjidhin situatën”, shtoi Hajdari.

Të kontaktuar në telefon nga Top Channel, prokurorë të ndryshëm kanë dhënë dy versione të ngjarjes. Disa prej tyre kanë pranuar se tonet mes prokurores Ahmetlliu dhe Hajdari kanë qenë të larta dhe se ky i fundit, pas ndërhyrjes së Llallës është nxjerrë nga salla nga dy kolegët e tij të Prokurorisë së Përgjithshme për të pirë kafe.

Prokurorë të tjerë që preferojnë të qendrojnë anonimë, shprehen se Prokurori i Përgjithshëm ka goditur me grusht vartësin e tij të Apelit, pasi edhe ai është fyer nga vartësi. E ndërsa duket se ky incident do të mbetet një histori mes prokurorësh, ku çfarë thotë njëri nuk e thotë tjetri, ajo që nuk dihet ende është se kush do ta verifikojë incidentin në organin e akuzës për të mësuar të vërtetën përtej një deklaratë të Zyrës së Shtypit.

Top Channel