F1, tajfuni kërcënon garën

03/10/2014 00:00

E premtja ka qenë një ditë shumë e nxehtë në Suzuka, por e diela duket se nuk do të jetë kështu. Mendohet se tajfuni Phanfone do të godasë Suzukën në orën 15:00 me orën lokale, pikërisht atëherë kur nis Cmimi i Madh i Japonisë.

Për këtë arsye, FIA, organizatorët e garës dhe skuadrat kanë zhvilluar disa mbledhje për të shikuar mundësinë e shmangies së një tajfuni. FIA ka parashtruar dy mundësi: e para është zhvillimi i garës të shtunën, që do të thotë se provat zyrtare do të zhvillohen atëherë kur janë parashikuar provat e treta të lira, ndërsa gara do të nisë në orën kur janë parashikuar provat zyrtare. Ky opsion ka pak gjasa të merret në konsideratë për motive kontraktuale dhe të drejta televizive.

Mundësia e dytë është zhvillimi i garës 4 orë para parashikimit. Me orën shqiptare, gara do të niste në 04:00 të mëngjesit dhe sipas parashikimeve të motit, pikërisht pas përfundimit të saj do të niste tajfuni. Por, kjo gjë do të sillte probleme për skuadrat të cilat nuk do të mund të largonin në kohë materialet e tyre.

Nga ana tjetër është Bernie Ecclestone, i cili do të donte shumë që gara të pezullohej pasi të kishte nisur dhe televizionet të jepnin përgjatë një ore pamje të pistës plot me ujë dhe erës së fortë, ndërkohë që mediat do të flisnin për këtë për ditë me radhë. Kjo është Formula 1…

Top Channel