Basha: Shqipëria ka rënë në kthetrat e krimit

03/10/2014 00:00

Me anë të një deklarate për shtyp, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar sërish lidhur me emërimet, sipas tij, kriminale në administratë.

“Ne kemi bërë publikë emrat dhe dosjet e trafikantëve, vrasësve, pengmarrësve të veshur me pushtet. Rama-Meta kanë heshtur duke pranuar autorësinë dhe përgjegjësinë. Ne kërkuam hetim parlamentar për kriminalizimin e administratës. Rama-Meta e bllokuan këtë hetim në kundërshtim me Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke ju bërë mburojë të inkriminuarve që kanë sjellë në administratë. Ne ngritëm zërin në Kuvend për aleancën politike mes mafias dhe qeverisë. Rama urdhëroi para kamerave të dënuarin për prostitucion dhe rrëmbim personi dhe sojin e tij që ai i ka sjellë në Kuvend që të dhunojnë dhe kërcënojnë opozitën”, thuhet në deklaratën e zotit Basha.

Më tej, kreu demokrat vijon duke deklaruar se kjo është e vërteta e tmerrshme e Shqipërisë së rënë në kthetrat e mafies dhe krimit të organizuar me lidhje qeveritare, siç pohojnë partnerët europianë.

“Siç pohoi dje edhe ministri i Brendshëm gjerman, kjo kërkon kurajo. Këtë kurajo nuk e ka e nuk mund ta ketë ai që ka themeluar këtë aleancë me krimin. Prandaj edhe sot bëri strucin. E sigurtë është që këtë kurajo e kemi ne dhe qytetarët shqiptarë”, mbyllet deklarata e kryetarit të PD-së, Lulzim Basha.

Top Channel