Kryeministri Edi Rama e konsideroi fatkeqësi kombëtare, faktin që për tetë vjet nuk janë legalizuar në pjesën dërrmuese banesat e personave në nevojë, por të atyre që bien ndesh me interesat e komunitetit.

Gjatë një takimi me moton “legalizimi falas, sot ALUIZNI shkon te qytetarët”, kryeministri u shpreh se mbyllja e procesit të legalizimit është prioritet.

“Filozofia e këtij shërbimi që kemi ndërtuar është pikërisht kjo, ti asistojmë këto familje dhe t’ua bëjmë gati dosjet e t’ua japim letrën në dorë, të mos i lëmë sërish rrugëve, dyerve e burokracive, ku sigurisht nuk mungojnë duart për të marrë bakshishe. Legalizimi falas ka edhe këtë vlerë sepse duke e ditur qartësisht që të gjithë që procesi është falas edhe niveli i korrupsionit bie në mënyrë eksponenciale, siç ka rënë”, u shpreh kryeministri Rama.

Por, kryeministri paralajmëroi se do të goditen pa kompromis “ngrehinat”, siç i quajti ai, që janë frut i korrupsionit.

“Jo vetëm nuk do të legalizojmë falas “ngrehinat” të bëra për qëllime fitimi, por nuk do t’i legalizojmë fare aty ku bie ndesh me interesin e komunitetit, siç është rasti i ndërhyrjeve të INUK në Tiranë dhe qytete të tjera me zaptues trotuaresh e hapësirash mes pallatesh, deri te rrugët dhe thonë jemi në proces legalizimi. Nuk ka proces legalizimi për zaptime të tilla. Nuk mund të bëhen pronar të trotuareve dhe hapësirave mes pallateve zaptuesit për qëllime fitimi. Ka një dallim shumë të madh në këtë pikë, ashtu si kundër, nuk mund të bëhen pronarë të buzëz së liqenit, nuk mund të bëhen pronar të rërës, nuk mund të bëhen pronar të detit, nuk mund të bëhen pronar të zonave arkeologjike, nuk mund të bëhen pronarë të godinave të ngritura mbi kolektorë dhe mbi vepra publike ata të cilët nuk i kanë pasur sytë në ballë kur kanë ndërtuar”, deklaroi Edi Rama.

Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm i ALUIZNI-t Artan Lame tha se, në kuadër të legalizimit falas po negociohet me Dhomën Kombëtare të Noterisë, për të ulur tarifat për kalimin e pronësisë, ndërsa së shpejti Këshillit Kombëtar të Territorit do t’i kalohen të dhënat për zonat e reja informale.

“Deri tani janë rreth 84 zona informale të reja për t’u shpallur, të cilat këto ditë do t’i paraqiten Këshillit Kombëtar të territorit për miratim dhe pasi të kenë marrë firmën e Këshillit Kombëtar të Territorit do i shtohen listës së gjatë të zonave informale të shpallura. Theksojmë dhe gjithmonë e kemi theksuar çështjen e zonave informale sepse legalizimi në vetvete nuk mbyllet këtu, ai vazhdon me urbanizimin sipas një skeme me 3 hallka”, u shpreh drejtori Artan Lame.

Top Channel