Tërmeti që goditi zonën e Dumresë gjatë kësaj pranvere solli dëme të shumta materiale. U premtuan dëmshpërblime për banorët për banesat e dëmtuara, por edhe pse dimri është në prag, kompensimi ende nuk është bërë.

Të gjendur në një situatë të tillë banorët kanë filluar të riparojnë vetë banesat, por një pjesë e tyre po ndiqen penalisht për ndërtime pa leje.

Kryetari i komunës së Belshit, Asqeri Kuqja foli në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” në lidhje me këtë situatë aspak normale.

Pandi Gjata: Pse nuk është bërë kompensimi për banorët e dëmtuar?

Asqeri Kuqja: Komisioni i vlerësimit të qarkut është duke punuar. Deri tani është krijuar një numër i madh dosjesh, por dëmet nga tërmeti në bashkinë e Belshit ishin në një masë të tillë që numri i banesave të dëmtuara e kalonte numrin 400.  

Pandi Gjata: Duke qenë se jemi në prag të dimrit shumë prej familjeve vijojnë ende të jetojnë në banesa të dëmtuara, shumë prej tyre kanë filluar t’i riparojnë vetë banesat, por tashmë po akuzohen për ndërtime të paligjshme. Çfarë është kjo situatë?

Asqeri Kuqja: Unë e kam ngritur këtë çështje si problem. Disa banorë me kursimet e tyre nisën riparimin, por tashmë po ndiqen penalisht. Policia e Shtetit duhet të bashkëveprojë me bashkinë për gjetjen e një zgjidhje që banorët e dëmtuar nga tërmeti të lejohet të riparojnë banesat e tyre.

Pandi Gjata: A keni patur një komunikim me strukturat e policisë?

Asqeri Kuqja: Ne mbajmë komunikim të vazhdueshëm me strukturat e policisë, por në këtë rast duket se ka pak hapësira për të lejuar qytetarët të ndërtojnë.

Pandi Gjata: Nga komunikimet që ju keni patur, a do të lejohen këtë banorë të riparojnë banesat e tyre?

Asqeri Kuqja: Duhet të krijohen hapësira bashkëpunimi mes bashkisë dhe Policisë së Shtetit, për verifikimin e rasteve të banesave të dëmtuara dhe lejimin e riparimit të tyre.

Pandi Gjata: A ka një afat se kur këta banorë do të dëmshpërblehen?

Asqeri Kuqja: Dosjet janë në përpunim e sipër dhe ato kërkojnë një punë goxha të madhe. Ne i kemi kërkuar komisionit të vlerësimit të shqyrtojë çdo rast sado pak i dëmtuar që të jetë.

Top Channel