Debati për shatërvanin e Durrësit

02/10/2014 00:00

Qytetarë durrsakë kanë ngritur padi kundër vendimit të Bashkisë për heqjen e shatërvanit nga qendra e qytetit dhe shkatërrim të vlerave historike.

Anëtarë të Forumit në Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore kanë shfaqur kundërshtitë e tyre mbi këtë vendim gjatë një takimi të zhvilluar pa praninë e medias me kryetarin e Bashkisë Vangjush Dako, duke kërkuar rikonceptimin e projektit që po zbatohet në qendër të Durrësit.

Gjerak Karaiskaj, specialist monumentesh: Shatërvani është pjesë e arkitekturës së dikurshme që ka lidhje edhe me bashkinë. Janë ndërtime të njëkohëshme, të një stili dhe që kanë lidhje me historinë e qytetit. I takon një periudhe historike të caktuar sic është edhe rruga që con drejt portit. Prishja e këtij shatërvani cënon një pjesë të historisë së Durrësit.  

Rais Petrela, arkitekt: Forumi në Mbrojtje të Trashëgimisë Kulturore zhvilloi një takim me kryetarin e Bashkisë së Durrësit në lidhje me shatërvanin ku shprehu kundërshtimin e vet në lidhje me vlerat e trashëgimisë kulturore dhe trashëgiminë që mban ku shatërvan, nga ku morëm premtimin se do të ketë një propozim të ri për ruajtjen e shatërvanit.   

Sipas kryebashkiakut Dako, ndonëse shatërvani nuk është pjesë e listës së objekteve të trashëgimisë kulturore ai nuk do të prishet, por do të zhvendoset në lulishten që ndodhet në krah të bashkisë për t’i hapur rrugë zbatimit të projektit të studios italiane për rigjallërimin e qendrës administrativo-historike të qytetit bregdetar.

Që prej një muaji ky vendim ka ngjallur reagime dhe protesta të qytetarëve.

Top Channel