“Dua ta shoh të vdekur”, akuzat ndaj mjekut në Korçë për ngacmimin seksual, babai i 21-vjeçares për “Shqipëria Live”: Iu afrua ta puthe dhe…
“Fiks Fare” vijoi edhe të enjten me investigimin e nisur të martën për shoqatën “Jetimët në Fokus”.
Pas skandalit të abuzimit seksual, një tjetër skandal. Ai i abuzimit me fondet, kryesisht donacione të huaja. Kjo shoqatë është e shtrirë thuajse në të gjithë vendin, pavarësisht faktit që në shumicën e qyteteve nuk ka zyra. Siç është dhe rasti i Korçës.
Në redaksinë e “Fiks Fare” erdhi një ankesë nga një vajzë jetime dhe nëna e saj. Ato pretendonin se Mirash Zefi, kryetar i kësaj shoqate për degën e Korçës, abuzonte me vërtetimet, të cilat i lëshonte kundrejt pagesës. Për çdo vërtetim, 200 lekë të reja. Në kundërshtim edhe me statutin e kësaj shoqate, ku jetimit nuk i merren lekë për shërbimet e kryera.
Pavarësisht kësaj, zotëria kishte lëshuar një vërtetim, i cili sipas tyre nuk ka hyrë në punë për asnjë gjë.
“Ai na takoi në një lulishte. Atje na priti. Madje vërtetimin e plotësoi vajza ime, pasi kryetari pretedoi që nuk shikonte”, – pretendon nëna e jetimes. Gjithashtu, jetimja nga Korça shtoi se zotëria, pavarësisht se nuk kish zyra, i kish propozuar që të bëhej sekretarja e tij. Gjë që ajo e kishte refuzuar në mënyrë kategorike.
“Fiks Fare”, për të vërtetuar pretendimet e tyre, me anë të gazetares së emisionit arriti të takonte kryetarin e shoqatës, Mirash Zefi, në Korçë. Gazetarja e Fiksit, edhe pse nuk ishte jetime, arriti të marrë me lehtësi një vërtetim te kryetari, sigurisht në të njëjtën mënyrë. Por, kësaj here në ambientet e një llotoje sportive. Ai nuk kërkoi asnjë dokument vërtetues, që vajza të ishte jetime.
Kryetari i kësaj shoqate i propozon gazetares, të cilën e dinte jetime, që të punonte me të. Por, para se të pranohej, ai duhet ta provonte dhe të ishte shumë e afërt.
Pjesë nga biseda me kryetarin e shoqatës “Jetimët në Fokus”, dega Korçë
Mirash Zefi: Po. Në fakt nuk njihemi.
Fiksi: Por mua më thanë, që mund të më ndihmoni me një vërtetim.
Mirash Zefi: Mirë, vërtetimin nuk e kam problem.
Mirash Zefi: Ku je, në shkollë aa?
Fiksi: Do vij këtu në Korçë, kam fituar.
Fiksi: Se s’e di a më takon një vërtetim, se jam jetime?
Mirash Zefi: Jo, jo, atë ta jap unë, ta jap unë ta mbushësh, edhe se s’para shoh që të shkruaj, mbushe me bojë.
Fiksi: Jo, se e shkruaj vetë.
Mirash Zefi: E bravo, të them unë se ca do bësh.
Fiksi: Më thanë se kishe ndihmuar shumë studentë.
Mirash Zefi: Po, po, ajo nuk diskutohet, plotësoje këtë këtu…
Fiksi: Po…
Mirash Zefi: Edhe bëj emrin tënd.
Fiksi: Po, po, edhe datën e sotme. Tani këtu është regjistruar një numër regjistri.
Mirash Zefi: Po ta them unë, vëre… Futja 45. Emrin tënd e vure?
Fiksi: Po, po. Do të vë edhe datëlindjen time?
Mirash Zefi: Po.
Fiksi: Jemi në rregull?
Mirash Zefi: Vazhdo, ca thotë këtu?
Fiksi: Lëshohet ky vërtetim sipas kërkesës së të interesuarit. Numri i regjistrit 45.
Mirash Zefi: Në rregull.
Fiksi: I plotësova këto.
Mirash Zefi: Në rregull, ti vë edhe vulën unë, në rregull.
Fiksi: Po unë, sa duhet të paguaja?
Mirash Zefi: Po, 2000 lekë të vjetra.
Fiksi: Në rregull.
Mirash Zefi: Se edhe ne, s’na i jep shteti, që të na…
Mirash Zefi: Edhe ta paraqitësh në Sekretari. E di?
Fiksi: Po, po, po se mos nuk ma njohin? Vulë ka apo ke vulë? Më fal…
Mirash Zefi: Unë s’mund të flas kot. Nuk e zuri mirë.
Fiksi: Hë se mirë është. “Shoqata e jetimëve”, kuptohet, lexohet.
Mirash Zefi: Urdhëro motër.
Fiksi: Shumë falemnderit, por unë do vij këtu. Ju punoni në një shoqatë, ndonjë mundësi punësimi, ndonjë ide…
Mirash Zefi: Në ca drejtimi do, të them unë pastaj. Se ka lloj-lloje, prandaj them unë…
Fiksi: Po ku?
Mirash Zefi: Po të jesh e afërt, kam frikë se do fluturosh nga krahët. Rri zemër, rri aman të keqen, rri.
Mirash Zefi: Nuk e di tashi, duhet të provoj, duhet edhe të provoj me këto kompjuterat, me këto gjërat…
Fiksi: Po i njoh ato mirë.
Mirash Zefi: I njeh mirë?
Fiksi: Po
Mirash Zefi: Po të jesh e afërt, mund të të marr edhe sekretare.
Fiksi: Po ju keni zyra? Keni?
Mirash Zefi: Zyrat presim t’i marrim në Bashki, po presim t’i marrim dhe po të jesh e afërt do fitosh, mua tërë sekretaret më kanë ikur. Të tëra më kanë ikur, prandaj dhe ti do më ikësh mua. S’më qëndrojnë femrat mua, mi marrin. Aftësia e femrave.
Fiksi: Pse, ti nuk sillesh mirë?
Mirash Zefi: Jo se nuk sillem mirë, por mi marrin, e kupton? Mi marrin, aftësia e femrave…
Mirash Zefi: Unë, po të jesh e afërt, po të jesh e tëra për mua… me mua je deri në fund.
Mirash Zefi: Unë jam kryetar i shoqatës edhe them pastaj kjo ia vlen, edhe se i provojmë ne, pastaj, se i them e kam të mirë, e kam kështu, e kam andej-këtej, ama le që s’të qëndrojnë sekretaret, më thonë mua, kanë të drejtë këtu. Edhe do ta shikosh pastaj, kush ikën ti apo unë? Edhe përse? Përse ikën? Kam pasur një unë, nuk kishte shpi andej-kteja, e futa në konvikt. Tani u bë ajo, çfarë të them unë? Tani bëjnë sikur s’të njohin.
Fiksi: Periudhën e provës nuk të paguajnë?
Mirash Zefi: Pa provuar nuk të merr njeri, nuk të paguajnë. Se vijnë me 2 muaj, me tre muaj, edhe ikin. Ta fillosh dhe ta fillosh tamam.
Fiksi: E di.
Fiksi: Po më të madh.
Fiksi: Falemnderit, do flasim sërish në telefon. Ishalla…
Mirash Zefi: Nuk ta mësova emrin.
Fiksi: Elda.
Fiksi: Mirë që më mësove emrin, se do të thonin kujt i ke dhënë vërtetim, dhe ti s’më dije emrin.
Mirash Zefi: Për atë që jap përgjigjem vetë unë, nuk e diskutoj.
Fiksi: Shumë falemnderit.
Çifti suedez Suzan dhe Joan Ferdholm akuzojnë z. Arjan
Berati është një tjetër qytet, ku shoqata “Jetimët në Fokus” ka kryetar, nënkryetare dhe një sekretar, pavarësisht se nuk kanë zyra.
Çifti suedez, Suzan dhe Joan Ferdholm, akuzojnë z. Arjan Kamberi, kryetarin e kësaj shoqate, për përvetësim të donacioneve kundrejt mashtrimit. Donacione që këta të huaj kanë bërë për z. Ilir Kakaçi. Një mik i ngushtë i z. Arjan Kamberi. Gjithashtu jetim madhor.
Në një intervistë për “Fiks Fare”, Susan Ferdholm deklaroi që ka njohur z. Kamberi dhe z. Kakaçi gjatë qëndrimit në Shqipëri, për pushime në vitin 2009. Sipas tyre, gjendja e tyre e jetesës kish qenë shumë e keqe dhe çifti suedez i kish ndihmuar.
Herën e parë nëpërmjet emailit, kryetari i shoqatës, në korrespondencën mes tyre me anë të emaileve, i ka kërkuar 300 euro. Pak vite më vonë, 700 euro. Deri sa në Janar të vitit 2011, po nëpërmjet postës elektronike, Arjan Kakaçi i bën një tjetër kërkesë.
Sipas një videoje, që çifti suedez Ferdholm ia kishte kërkuar atij si provë, djali i zotit Kakaçi, Skerdi, kishte pësuar një aksident dhe kishte nevojë për një operim urgjent. Sipas tyre, ai ishte shtruar në Spitalin Ushtarak. Të paktën çka tregohej edhe nga videoja amatore.
Kësaj here, ata kishin dhuruar për ndihmë 1800 euro. Dërgesa që, sipas znj. Susan Ferdholm, janë bërë gjithmonë në emër të zotit Kamberi, kryetarit të shoqatës. Ajo pretendoi se i gjithë aksidenti ishte një mashtrim, pasi si të tillë e kishte denoncuar te çifti, motra e z. Kakaçi, babait të djalit. Motra e këtij të fundit jetonte në Suedi, nga ku kishte kontatuar edhe çiftin.
Në takimin e parë që “Fiks Fare” bëri me zotin Arjan Kamberi, kryetar i shoqatës, ai mohoi kategorikisht të ishte në dijeni, apo pjesë e kësaj ngjarjeje. Gjithashtu, ai mohoi të ketë marrë lekë nga çifti, duke pretenduar se edhe fotot, edhe korrespondenca me email ishte një montim.
Në këto kushte, “Fiks Fare” ndërmori një investigim për të vërtetuar nëse aksidenti kishte ndodhur vërtet dhë nëse djali kisht qenë i shtruar në spital. Fillimisht kontaktuam me policinë e Qarkut Berat, ku zyrtarisht shefi i sektorit të Qarkullimit Rrugor pranë kësaj Drejtorie, Simon Mici, na informoi se:
“Sipas kërkesës së bërë nga ju, lidhur me një ngjarje të pretenduar e ndodhur në mujin Janar të vitit 2011, ju sqarojmë se në evidencat e aksidenteve të shërbimit të Policisë Rrugore të Drejtorisë së Qarkut Berat, për dëmtimin e shtetasit Skerdi Ilir Kakaçi, nuk ka të evidentuar në këto regjistra person me këtë emër, të jetë pjesëmarrës apo i dëmtuar si pasojë e aksidenteve rrugore”.
Pas kësaj, të njëjtën kërkesë bëmë edhe pranë Drejtorisë së Spitalit Berat, ku po nëpërmjet shkresës zyrtare na vunë në dijeni se “për periudhën e pretenduar, Skerdi Ilir Kakaçi nuk ka qenë i kartelizuar pranë Urgjencës së këtij spitali”.
Pak orë më vonë, kryetari i shoqatës, Arjan Kamberi, i cili kishte mohuar fillimisht çdo gjë, telefonon për të na lënë një takim me zotin Kakaçi, për të folur mbi aksidentin dhe donacionin e çiftit suedez Ferdholm.
Ky ballafaqim u bë pranë zyrave qëndrore të shoqatës “Jetimët në Fokus”, në Tiranë. Pas këtij ballafaqimi rezultoi se z. Arjan Kamberi dhe z. Ilir Kakaçi i kanë kërkuar ndihmë për djalin e zotit Kakaçi në Janar të 2011. Sipas tyre, djali ka qënë i shtruar në spitalin Pediatrik Tiranë.
Në momentin që çifti suedez i ka kërkuar prova, atëherë z. Kakaçi, i cili pretendoi se e kishte nxjerrë djalin nga spitali, e kishte rikthyer sërish për të bërë videon e kërkuar nga suedezët. Ai gjithashtu tha se djali nuk kishte bërë kurrë operacion dhe se ai nuk ishte në dijeni.
Ndryshe nga çka pretendojnë në videon e dërguar çiftit Ferdholm, ku djali tregohet i shtrirë në një shtrat spitali, sipas mjekut të pretenduar shpjegohet se ka ardhur në gjendje shumë të rëndë, ka kryer një operacion, por ka nevojë edhe për një tjetër urgjent. Kjo video është xhiruar nga z. Arjan Kamberi, kryetari i shoqatës.
Pavarësisht pretendimeve të tyre, nga verifikimi i “Fiks Fare” rezulton që djali të mos jetë i kartelizuar as në Spitalin e Traumës dhe as në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza”, për periudhën Janar 2011.
Top Channel