Partia Demokratike mbajti Kuvendin Kombëtar ku miratoi statutin, zgjodhi këshillin e ri dhe organet të tjera të larta. Në fjalën e hapjes, kryetari Lulzim Basha kërkoi ndjesë për humbjen e 23 qershori, një ndjesë që u interpretua në disa forma e që ngjalli kundërshtime edhe brenda vetë radhëve të PD. Pas këtij Kuvendi, ku fjala e Berishës u duartrokit më fort se ajo e kryetarit Basha, mund të themi që alternativa qeverisëse e së nesërmes është në rrugën e duhur për të ardhur në pushtet?
Për t’iu përgjigjur kësaj dhe të tjera pyetjeve rreth zhvillimeve më të fundit në kampin opozitar, të ftuar në studion e Top Story këtë të enjte ishin Gjergj Bojaxhi, ish-anëtar Këshilli në PD, Flamur Kuçi, anëtar i PD, ish-këshilltar i Berishës kryeministër dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Bashës në fushatën e Tiranës në 2011. Përballë tyre qendronin analistët Alfred Lela dhe Robert Rakipllari.
I pari që mori fjalën ishte Gjergj Bojaxhi, i cili pavarësisht ftesës refuzoi pjesëmarrjen në Kuvend, që sipas tij: “Ishte një fasadë dhe nuk marr pjesë në fasada dhe organizime të parapërgatitura”.
Më tej shkurtimisht analisti dhe gazetari Alfred Lela vlerësoi se emrat e dalë në këshillin kombëtar janë kryesisht të rinj. Ai tha se Kuvendi ishte në kufijtë e së mirës.
Robert Rakipllari iu përgjigj kritikave se përse opozita nuk doli me një platformë nga ky Kuvend. Sipas tij, koha nuk ishte e mjaftueshme dhe kuvendi kishte më shumë natyrë organizative.
“Ishte një Kuvend me natyrë organizative, ishte një përmbyllje e atij procesi që ka nisur që pas humbjes së 23 qershorit dhe pas zgjedhjes së Bashës, zgjedhjeve në degët e PD dhe e pamë që ishin një palë zgjdhje ku kandidatët u propozuan nga salla e PD. PD ishte një parti që nuk kishte lista anëtarësh, u formalizua si parti me listë anëtarësh dhe kryetarët. Ishte një kuvend që bëri përmbylljen e gjithë procesit të riorganizimit të brendshëm që duhej të ndodhte. Kuvendi ishte në natyrën e një konvente me 7500 delegatë, një risi që shumë parti të tjera besoj që do ta ndjekin. Nuk kemi një projekt të kësaj partie për t’ia propozuar shqiptarëve”, tha ai.
Flamur Kuçi, ish-këshilltari i Berishës dhe bashkëpunëtor i Bashës, prej një viti është rikthyer në një nga zërat më kritikë brenda opozita kundër lidershipit të ri. Ai shpjegoi arsyet pse.
“Si një pjesë e mirë e mbështetësve të PD nuk jam i kënaqur me kursin që po ndjek partia. Nuk u ka shpjeguar shqiptarëve për humbjen, ende nuk ka nisur të ngjallë shpresën e mbështetësve. Nuk jemi të kënaqur me këtë situatë. Edhe me një kuvend që dikush e quajti formalitet, unë më shumë pashë informalitet se sa formalitet aty brenda. Për të analizuar me gjakftohtësi duhet parë produkti që solli. E para një seri shkeljesh të rregullave dhe statutit të partisë, anëtarët nuk janë thirrur sipas rregullave të partisë dhe statutit. Duhet të nisë të zbatojë rregullat e veta, që të jetë gati të mësojë rregullat e qeverisjes pastaj. Duhet parë produkti i Kuvendit, produkti duhet t’i jepte shqiptarëve dhe mbështetësve kursin e ri që do të ndjekë kjo parti për të bërë opozitë dhe për të ardhur në pushtet. Kuvendi duhet të miratonte një dokument politik që i mungoi”, tha Kuçi.
Gjergj Bojaxhi tha se partia ka braktisur flamurin dhe vlerat e 2005-ës, kohë kur iu bashkua edhe vetë. “Unë kritikoj partinë se nuk mbajti premtimet e 2005. Unë i kam qendruar flamurit të 2005, ndërsa e gjithë pjesa tjetër e partisë që është sot në krye të saj ka ikur”.
Kuçi iu rikthye kritikave të tij kur tha se në kuvend mungoi debati. Ai tha se kritika që adreson bëhet për të shëndoshur partinë, për ta forcuar atë.
“Unë nuk kam asnjë dilemë. Kritika ime është për të shëndoshur PD. Patjetër si qytetar dhe banor i Tiranës besoj që duhet të ishte administruar më mirë. Nuk kam asnjë lëvizje në drejtimin e mbështetjes së PD dhe besoj që është në të mirë të PD që të përballojë denjësisht një debat politik, jo aq gazetaresk. Pse është fatalitet të kërkosh nga partia jote që në kuvend të përcaktojë kursin për katër vjet?! Është fatalitet të pretendosh që pasi ke pësuar një humbje historike të shohim me sinqeritet arsyet reale të humbjes?!”, tha ai.
Por për Rakipllarin PD e ka bërë analizën e humbjes dhe ka kërkuar ndjesë shqiptarëve për të. Pjesë e kësaj analize, sipas tij, ishte edhe vendimi për të mos lejuar ish-deputetët dhe ish-kryetarët e degëve ku PD humbi në 23 qershor, të kandidonin sërish. “Për mua kjo është analizë humbjeje, të ndëshkosh fajtorët e humbjes”, tha ai.
Bojaxhi kishte një këndvështrim tjetër për këtë vendim. “Ky vendim nuk tregon demokraci, nuk tregon tolerancë, përkundrazi. Unë dua që opozita ku bëj pjesë t’u ofroj shqiptarëve një frymë. Sot kjo frymë mungon”, tha ai.
Rakipllari tha se është ende shpejt për të kërkuar në vetëm një vit kohë edhe zgjedhjen e strukturave drejtuese, edhe platformën qeverisëse edhe frymën. Ai tha se fryma dhe platforma do vijnë me kohë. Megjithatë Bojaxhi i qendroi mendimit të tij se kuvendi ishte një fasadë, nga i cili dolën disa të zgjedhur të rinj.
Ndjesa e Bashës
“Unë ju kërkoj ndjesë me përulje. Para së gjithash qytetarëve shqiptarë, që mund të jenë të ndjerë të braktisur dhe kanë patur arsye të ndihen të zhgenjyër në pritshmëritë e tyre dhe bashkë me ndjesën dua t’ju deklaroj angazhimin, vendosmërinë, përkushtimin tim, përkushtimin për korrigjim në dritën e analizave që kemi zhvilluar dhe po zhvillojmë, të mangësive dhe gabimeve tona”.
Kjo është një pjesë nga fjala e gjatë e kryetarit Basha ditën e hapjes së Kuvendit, e interpretuar nga shumë si ndjesë për humbjen e 23 qershorit dhe kritikë ndaj qeverisjes së PD, e nga disa të tjerë vetëm si ndjesë.
Por për Bojaxhi humbja e PD nuk mbërriti nga shkëputja me bazën, me qytetarin. Ai tha se Pd dështoi sepse shumë drejtues filluan të vjedhin, të abuzonin me pronat publike, por edhe aleanca me LSI-në, që sipas tij, është një parti-biznes.
Për Alfred Lelën lista e dalë nga kuvendi për anëtarë të këshillit kombëtar të partisë është një analizë e humbjes, ndërsa sa për platformë ai tha se janë hedhur bazat në fjalën e Bashës kur foli për barrierë ndaj së keqes dhe zhdukjen e kultit të individit në parti. “Këto janë shina të një linje politike”, tha ai.
Rakipllari interpretoi fjalën e Bashës kur tha se: “Ndjesa nuk është distanca me qytetarin. Unë e kuptova ndjesën që PD ishte investuar për vepra të mëdha dhe jo për veprime dhe akte që rregullojnë jetën e qytetarëve direkt. Ka dy teza për ringritjen e PD, ringritja morale e saj dhe e dyta është që i është propozuar edhe Ramës dekriminalizimi i parlamentit dhe i gjithë politikës duke përfshirë edhe veten. Këto janë teza shumë të rëndësishme politike për mua”, tha ai.
Flamur Kuçi tha se në dy vitet e fundit të pushtetit ka patur përkeqësim të performancës së Partisë Demokratike dhe kjo ishte arsyeja e humbjes. Ai i mëshoi kërkesës së tij që të partia të dalë me një platformë dhe kurs të qartë politik që të kthjellojë mbështetësit e vet.
Gjergji Bojaxhi justifikoi mungesën e platformës me kohën e shkurtër, por ajo që kritikoi ishte mungesa e debateve në kuvend. “U bë një kongres dhe nuk pritej një platformë, sepse ndoshta është shumë shpejt, por nuk pati debate. Ishte i njëjti kongres sic është bërë gjithmonë, sic është bërë më parë”, tha ai.
Lista e Këshillit Kombëtar
Mes emrave të këshillit vihen re famijë të ish-drejtuesve të lartë të PD, apo ish-funksionarëve të lartë shtetërorë, por nuk mungojnë edhe emrat që dikur kanë qenë anëtarë të PS, si Asllan Dogjani.
Alfred Lela tha se një grusht emrash nuk mund të përfaqësojë të gjithë këshillin, i cili sipas tij, ka në përbërje plot akademikë dhe intelektualë të shquar në fushat e tyre.
Flamur Kuçi tha se PD duhet të rikthehet tek promovimi i vlerave. Sipas tij, opozita po ndjek shembullin e Partisë Socialiste në vitin 2009 me G-99, ndërsa për këshillin tha se nuk është përfaqësues.
Por a është partia e Lulzim Bashës pas këtij Kuvendi? Për Rakipllarin dhe Lelën, ende nuk është parti e Bashës, por premisat janë të tilla, ndërkohë që për Flamur Kuçin dhe Gjergj Bojaxhi, më të rëndësishme se emrat, janë platformat dhe vlerat promovuese të partisë.
Top Channel