Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për skandalin e denoncuar mbrëmjen e të martës në emisionin investigativ “Fiks Fare”, fillimisht për veprën penale të parashikuar nga neni 108/a të Kodit Penal që është ngacmimi seksual.
Prokuroria e kryeqytetit thotë se së shpejti do të dërgojë kërkesën për sekuestrimin e materialit të transmetuar e cila në këndvështrimin e prokurorëve është një e dhënë hetimore. Pas publikimit të videos ku shfaqet kreu i shoqatës “Jetimët në Fokus”, i cili kërkonte favore seksuale në këmbim të ndihmës për të përfituar statusin e jetimit, ka reaguar edhe institucioni i Avokatit të Popullit, i cili kërkoi në mënyrë emergjente marrjen e masave të duhura ligjore.
Nëpërmjet rrjetit social Facebook, kreu i shoqatës “Jetimët në Fokus” i ka ofruar një 16-vjeçari shtrehim dhe shkollim në një kolegj privat pa pagesë duke i kërkuar favore seksuale, ndërkohë që ishte prind i dy fëmijëve.
Nëpërmjet një deklarate për mediat, Avokati i Populit shprehet se izolimi i individëve të tillë nuk mjafton: “Kjo është një ngjarje revoltuese dhe njëkohësisht një këmbanë alarmi për përmirësimet e kuadrit ligjor. Në deklaratë thuhet se statusi ligjor i fëmijëve në përkujdesje të moshës 16-18 vjeç nuk është i rregulluar. Nevojitet një trajtim adeguat ligjor ndaj individëve jetimë për përftimin real të gjithë lehtësirave që ofron ligji”.
Top Channel