Ilir Yzeiri – Kongresi i PD-së po zhvillohet në një kohë kur Europa,
sidomos, po përballet me krizën e partitizmit ose me atë që është
shënjuar si një ndër problemet e mëdha të demokracive perëndimore dhe që
është kriza e përfaqësimit.
Partitë politike nuk janë më përfaqësueset e opinionit publik apo të interesave të publikut. Partitë politike në shumicën e vendeve perëndimore dhe sidomos në ato të zonës neolatine vuajnë nga korrupsioni dhe klientelizmi. Besimi i publikut ndaj tyre ka rënë në nivele alarmante dhe studiues të ndryshëm kanë vënë re se ato nuk e kanë më peshën e duhur në vendimmarrje.
Jeta politike, në më të shumtën e rasteve, diktohet nga grupet e fuqishme financiare dhe nga bankat. Është bërë e famshme shprehja se elektorati mund të votojë me dorën e majtë ose me dorën e djathtë, por kjo nuk ndryshon asgjë, sepse qoftë e majta, qoftë e djathta nuk kanë fuqi të realizojnë asgjë nga programi i tyre, sepse suksesi i projekteve varet nga financimi dhe financimi është në dorë të institucioneve financiare, të cilat nuk zgjidhen.
Globalizmi dhe krijimi i tregut unik po ashtu ka sjellë të tjera probleme, të cilat së bashku me rritjen e numrit të emigrantëve në Perëndim, kanë shkaktuar rritjen e peshës së partive apo formacioneve ultranacionaliste dhe prirjen për ndarje, siç ndodhi me referendumin në Skoci dhe me atë që mund të ndodhë në Spanjë. Në këtë rast nuk po analizoj krizat e rënda që kanë çuar në konflikte të armatosura si në Rusi e Ukrainë apo konflikti i përgjakshëm me shtetin islamik të Kalifatit.
Gjithë ky kontekst nuk përfillet në Shqipëri, sepse në kulturën politike shqiptare nuk ekziston ndërvarësia. Në mentalitetin e liderit shqiptar, ky vend mund të qeveriset pavarësisht nga ajo që ndodh në botë. Izolacionizmi, vetmia, sfida për të triumfuar pa qenë të vendosur në një kontekst, kanë qenë dominante në jetën e habitatit shqiptar. E vetmja karakteristikë që ka mbërritur nga Perëndimi edhe te ne është ajo që në ato vende quhet forcimi i njëshit dhe shkrirja e partisë. Kjo dukuri, pra forcimi i rolit të liderit dhe shuarja e ndikimit të partisë që ai përfaqëson është një dukuri zotëruese në Europë, thonë filozofët e demokracisë. Dhe si shembull përmendet Kancelarja Merkel në Gjermani e cila ka krijuar përfytyrimin se në vendimmarrje ndikon më shumë ajo vetë sesa forca politike që përfaqëson. Një shembull i qartë është ai i Mateo Rencit në Itali, i cili, në zgjedhjet e fundit për Parlamentin Europian, arriti që të marrë mbi 40%. Të gjithë vunë në dukje se në ato zgjedhje ai vetë e mundi partinë që përfaqësonte në kuptimin që ato vota i mori ai vetë dhe jo partia që përfaqëson. Madje edhe sot e gjithë ditën ai, opozitë të vërtetë dhe të ashpër në ndonjë rast, ka klanet brenda partisë së vet dhe jo opozitën. Ndërsa në Francë, Presidenti Holand e ka futur në krizë partinë e vet për shkak të rënies së autoritetit vetjak.
Po në Shqipëri?
Edhe te ne, sidomos me ardhjen e Edi Ramës në krye të PS-së, e majta shqiptare thuajse u tret dhe Edi Rama i ka fituar të gjitha betejat politike më së shumti si lider i fortë ashtu siç edhe Berisha e shkatërroi të djathtën në Shqipëri me personalitetin e tij agresiv dhe autoritar. Shqiptarët më 23 qershor nuk ndëshkuan të djathtën shqiptare me votën plebishitare, por ndëshkuan drejtpërsëdrejti Berishën. Ndaj humbja e PD-së në ato zgjedhje nuk u perceptua si rënie e së djathtës, por si humbje e thellë dhe si dështim i Berishës. Zgjedhësit shqiptarë donin të largonin Berishën nga skena politike dhe ia arritën që ta bënin atë me një votë masive. Mirëpo, për fat të keq, PD-ja nuk ka ndërmend ta lexojë atë votim ashtu siç duhet. Ajo sillet dhe e ndërton aksionin politik si një parti e vjetër. Kongresi që ajo po mban këto ditë është një shfaqje e lodhshme e mbushur me një retorikë të ashpër e banale që nuk ka të bëjë fare me atë që ndodh sot në Europë. Në fjalimet e Bashës dhe Berishës zotëronte retorika e luftës dhe ata nuk e kishin për gjë të shpallnin se vendi sipas tyre qenka pushtuar nga mafia dhe dyshja kriminale Rama-Meta dhe se shqiptarët duhet të mblidhen dhe nën udhëheqjen e Bashës dhe Berishës duhet të rrëmbejnë armët që të shporrin këtë klikë. Për fat të keq, Partia Demokratike po shfaqet si një forcë politike e vjetruar dhe pa ide. Retorika e rëndë që përdor edhe Basha e ka bërë këtë forcë politike që të ngjajë me një repart ushtarak të harruar diku në ndonjë zonë operative dhe që nuk ka asnjë informacion se vendi është çliruar me kohë.
Po retorika e paqes pse mungon?
Këto ditë media u mor gjatë me faljen me gjysmë zëri që shqiptoi Lulzim Basha atëherë kur ai iu drejtua mbështetësve të tij për t’u kërkuar ndjesë pse PD humbi aq thellë në zgjedhjet e 23 qershorit. Për mendimin tim, nuk ka shumë rëndësi nëse ai ishte apo jo i sinqertë kur kërkoi ndjesë për humbjen në ato zgjedhje, e rëndësishme, sipas meje, do të ishte që Lulzim Basha të kishte aplikuar retorikën e paqes në vend të asaj të luftës. Ai sot është në krye të një force politike që ka braktisur Parlamentin dhe ka projektuar një aksion politik që nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe shqiptarët. Shqipëria ka nevojë për reforma të thella dhe për bashkëpunim. Sot mund të duket retorikë boshe, por PD-ja është e vetmja forcë politike në opozitë që nuk përmend kurrë Shqipërinë, atdheun. Është e vetmja forcë politike që nuk ka ideal mbrothësimin e atdheut, por luftën për të marrë pushtetin me çdo kusht dhe hakmarrjen ndaj atyre që ua morën pushtetin më 23 qershor. PD-ja harron se shqiptarët nuk duan t’ia dinë për dyshen Rama-Meta që e mundi Berishën në mënyrë të turpshme dhe e flaku tej nga skena politike. Shqiptarët duan që ky vend të mos jetë më delja e zezë e Europës, që ky vend të mos thirret më vendi më i varfër i Europës, shqiptarët duan një sistem gjyqësor të korrektuar rrënjësisht dhe për këtë e për shumë e shumë probleme të tjera, PD-ja duhet të përdorë retorikën e paqes dhe jo atë të luftës. Meqenëse Italinë e kemi afër, do të ishte mirë që të mësonim nga jeta e tyre politike. Opozita e Berluskonit po sillet në mënyrë virtuoze dhe po bashkëpunon me qeverinë e Mateo Rencit në mënyrë shembullore. Megjithëse nga kjo parti është shkëputur një formacion politik, një alias LSI-je, që atje thirret “Nuovo Centrodestra”, e cila i ka siguruar votat Rencit për të qeverisur, Berluskoni dhe partia e tij nuk kanë bërë kurrë obstruksionizëm, megjithëse atë e kanë masakruar gjykatat që ai i quan të majta dhe mediat. Dhe të mendosh se në krye të kësaj force politike është Alfano, ish-delfini i Silvios dhe ish-drejtuesi i lartë i Forca Italias. Ndërsa Lulzim Basha pranon që të tërhiqet zvarrë nga përroi psikik i Berishës dhe ka përqafuar modelin e një force të vjetër politike i një PD-je që gjithnjë e më shumë po vihet në shërbim të deformimit psikik të Berishës dhe të mllefit të tij patologjik. PD-ja nuk e shëron dot Berishën, sepse ajo me këtë aksion politik nuk vjen asnjëherë në pushtet, por ajo mund të ndihmojë që të përmirësohen plagët e këtij vendi duke u treguar një forcë moderne që përdor retorikën e paqes dhe jo atë të luftës.
Top Channel