FATOS BAXHAKU – Këtu e diçka më shumë se gjashtë vjet më parë, pra andej
nga fundi i verës së 2008-s, punët na e deshën që, bashkë me shokë e
kolegë, të punonim afër dy javë në Përmet e rreth e rrotull.
Bënte një vapë e paparë. Nganjëherë, sidomos në orët e zhegut, ajri mbetej pezull, njësoj si një qese plastike që mezi e lot era. Figurat njerëzore që shikonim ishin të pakta dhe të vagullta. Ato strukeshin ndër hije pemësh, apo në brendësi të shtëpive të gurta. Të vetmet gjallesa që dukeshin të lumtura nga ardhja e atij zulmi vape dukej të ishin gjinkallat. Këto këndonin hareshëm që në orët e para të mëngjesit dhe deri në të shkuar të diellit. Zukatja e tyre e gjatë, monotone, e vazhdueshme, e njëtrajtshme, këmbëngulëse, zukatëse, e vrazhdë e bënte peizazhin të dukej edhe më “i djegur” seç ishte. E mbaj mend si tani Erion Muharremin, operatorin, që ankohej si nën zë: Po këto dreq insektesh nuk pushuakan kurrë, po kur e kanë pushim xhanëm! Përballë vapës e gjetëm edhe ne “ilaçin”. Ose zgjoheshim që në mëngjes që pa gdhirë, ose xhironim gati në perëndim të diellit.
Nëse nisemi thjesht nga fjalët që kënduat më lart, do të duket sikur ato ditët e Përmetit na paskan qenë nga më të rëndat në jetën tonë profesionale të stërmbushur me udhëtime. Nuk është aspak kështu, përkundrazi. Ky udhëtim në kulmin e vapës ka mbetur për shumë nga ne një nga më të mbarët dhe më frytdhënësit e të gjithë karrierës sonë të deritanishme. Askush prej nesh nuk di ta thotë mirë se çfarë e mposhti lodhjen, vapën, etjen, zhuritjen. Por ama të gjithëve nëse na pyet, qoftë edhe më vete, përgjigjen e kemi gati: Si Përmeti nuk ka! Mbase magjia e Vjosës, që merr një ngjyrë edhe më të kaltër se zakonisht në kohë vape, mbase kishat, teqetë dhe fshatrat plot histori, mbase mirësia dhe mikpritja dinjitoze e njerëzve të këtyre anëve, mbase një lloj trishtimi që i ka kapluar këto anë gjysmë të braktisura, mbase të gjitha bashkë na bënë që të ruajmë kujtimet më të mira për ditët e xhirimit në Përmet dhe në rrethina.
E gjithë kjo shije e mirë sikur u shkërmoq teksa, këtë të shtunë, po shikonim një intervistë të shqetësuar të profesorit të nderuar Alfred Frashëri. Prof Frashëri, gjeolog i vjetër me një barrë përvojë, lëshoi një alarm të jashtëzakonshëm: burimet e Bënjës janë tharë! E gjitha kjo ka ndodhur pas shpërthimeve që janë kryer për ndërtimin e digës së një hidrocentrali, që një firmë e huaj po ndërton mbi luginën e Lëngaricës! Intervista shoqërohej me pamje që tregonin luginën tashmë pa ujë të përroit.
Që të kthehemi edhe një herë gjashtë vjet më parë. Emrin Bënjë e kishim dëgjuar në Përmet brenda, në Lehusë, në Buhal, në Kosinë, thuajse nga pak kudo nëpër Përmet. Sapo mbaronim së xhiruari një fshat njerëzia na thoshin duke u habitur: Nuk keni qenë në Bënjë, atje është se ç’është. Fshati ynë mirë, mirë, po atje… E kështu qëlloi që më në fund duke lënë mënjanë rrugën automobilistike Përmet-Ersekë, morëm kthesën e Bënçës. Të mësuar me rrugë me gropa e gurë, a më mirë të çmësuar prej disa kohësh me asfaltin, neve na bëri përshtypje sakaq rruga e ngushtë, por fort mirë e shtruar me asfalt. Jo vetëm ne, por duket se edhe makina jonë e lodhur, iu gëzua rrugës së re. Pastaj, duke ecur paralel me zallin e Lëngaricës, nisëm të shohim disa lokale të thjeshta nga ku njerëzia na e bënin me dorë që të ndalonim. Ishin fshatarë të zonës, dikur të ikur, që tani po ktheheshin në tokat e të parëve me shpresën se turizmi do të bëhej industria më e parë e këtyre anëve. Nuk e kishin kot. Bënja është një fshat i vendosur në krahun e djathtë mbi një kodër të lartë, jo shumë larg përroit të Lëngaricës. Shtëpitë janë braktisur prej kohësh, por hija e rëndë e një historie të gjatë të stërmbushur me bëma ende nuk i është larguar fshatit. Poshtë, gati afër lumit në një shesh të gjelbëruar nga të gjitha anët ndodhet kisha e madhe e Bënjës. Krejt mbi ballë, mbi fasadë ndodhet një e çarë e frikshme. Duket si një ballë njerëzor që dikush e ka qëlluar keq me sëpatë. Sigurisht që heshtja është sunduesja e vetme e këtyre anëve. Madje, patëm përshtypjen se në këto anë edhe gjinkallat kishin ikur. Por poshtë, në brigjet e lumit gjallonte shpresa. Përmetarë nga qyteti, fshatarë të fshatrave përreth, por edhe tiranas, gjirokastritë, çekë, gjermanë me çadra, kishin populluar të dyja brigjet e përroit të famshëm. Një urë e vjetër, Ura e Kadiut, sikur i fuste turistët të vendit e të huaj në një atmosferë tjetër. Në anë të përroit njerëzit kishin krijuar disa pellgje të mëdha. Të mbushur me ujëra termale me aftësi shëronjëse ata i ndanin në pellgun për reumatizmin, për lëkurën, për dobësimin, madje edhe për dhëmbët. Në të ngrysur, njerëzia shkonin që andej duke tërhequr bidonë të rëndë me ujë që i përdornin gjatë javës në shtëpi. Pellgu më i famshëm quhej “Pellgu i Priftit”. Sipas gojëdhënës një nuse e re nga Bënja, e porsamartuar u paralizua befas pa asnjë shkak të dukshëm. Këto anë dikur kanë qenë të mbushura me mjekë popullorë, ose sikurse i quanin qëmoti, me “xherahë”, por asnjë kurë nuk po i bënte dobi nuses fatkeqe. Thonë që shërimin e saj e mori përsipër një prift i atyre anëve. Prifti tha se nusja duhej zhytur në një burim në anë të përroit. Pas disa banjash nusja, sipas fshatarëve “u bë sërish ajo sorkadhja që qe dikur’. Pikërisht këtë burim e treguan kamerat të shtunën. Ishte shndërruar vetëm në një zhurishte të mjerë dhe pa askënd.
Që Bënja e ngratë nuk ka më askënd që ta mbrojë, kjo mbase nuk do kallauz. Që, sikur të ndodhte kjo gjetiu, në ndonjë krahinë më luftarake të Shqipërisë, historia do të qe ndryshe, edhe kjo nuk do diskutim, por që një nga perlat e turizmit alternativ shqiptar të zhduket si pa të keq bash e në kohën që ne bërtasim me të madhe për turizmin si një nga shtyllat e zhvillimit të ardhshëm të Shqipërisë, për këtë duhet të japë dikush përgjigje. Duhet të japë përgjigje jo vetëm duke e parë Bënjën dhe Lëngaricën si një zonë pa njerëzi. Ato nuk janë vetëm të Përmetit dhe të përmetarëve. Të kërkosh shpëtimin e tyre vetëm nga përmetarët do ishte të pretendoje shumë. Ato janë pasuri e pamasë e Shqipërisë, pasuri e brezave që ndërtuan fshatin e kishën, krijuan legjendat, ruajtën natyrën, respektuan jetën, por edhe e brezave që vijnë. T’ua marrësh këtë të drejtë të vjetërve dhe të rinjve kërkon vërtet goxha guxim. Por, me sa duket ndonjëri edhe e paska. Jemi, apo nuk jemi vend tolerant xhanëm!?
Top Channel