Artikull i Ramës në Huffington Post

25/09/2014 00:00

Prestigjozja amerikane “Huffington Post” publikoi këtë të enjte një shkrim të gjatë të Edi Ramës kushtuar vizitës së Papa Françeskut dhe mesazhit që ai solli në vendin tonë.

Rama e nis shkrimin duke thënë se vizita e Papës vendosi vendin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare. Por më shumë se sa kjo, shton ai, i rëndësishëm ishte mesazhi që përçoi Ati i Shenjtë.

Si mesazh Rama lexon edhe përzgjedhjen e vendit tonë si i pari për të vizituar në Europë.

“E para, ai zgjodhi një ndër vendet më të varfëra të Europës për të vizituar, e dyta, dhe më e rëndësishmja, zgjodhi një vend ku mazhoranca muslimane jeton në harmoni me të krishterët. Ai erdhi si udhëheqës shpiërtor universal kundër paragjykimit dhe ndasive të njerëzve mbi baza etnike, sociale apo besimi dhe u prit nga të krishterë dhe muslimanë, pa asnjë dallim”, shkruan më tej Kryeministri.

Kjo është një mrekulli e rrallë në botën ku dita-ditës po shtohet dhuna dhe konfliktet, vijon Rama.

Në artikull thuhet më tej se Papa zgjodhi të vizitonte Shqipërinë dhe shqiptarët në vitin kur shqiptarët dhe popujt në rajon u bashkuan në një proces bashkëpunimi.

Rama thotë se Ati i Shenjtë nuk është i vetmi që ka kuptuar rolin e rëndësishëm që ka Ballkani për të ruajtur paqen dhe zhvillimin në ditët tonë. Vizita e Tij, vijon shkrimi, pason hapin historik të ndërmarrë nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, duke iu referuar këtu Samitit të Berlinit.

“Sfida jonë më e madhe sot është të qendrojmë larg epidemisë së konflikteve fetare, që më pas në këtë rajon kthehen automatikisht në konflikte etnike që do të çonin në diskutimin e kufijëve aktualë të paqes. Kjo është sfida jonë, kjo është sfida e Eurpës, sfidë që duhet ta përballojmë së bashku. Anxhela Merkel dhe Papa e treguan rrugën, të tjerët duhet t’i ndjekin”, përfundon shkrimi i kryeministrit.

Top Channel