Papa për Top Channel: Shqiptarët, popull i ri dhe i bukur

22/09/2014 00:00

Papa Françesku ka folur për vizitën e tij në Shqiperi, në avionin
papnor, ku siç dihet e shoqëronin edhe tre gazetarë shqiptarë.

Edhe aty, Ati i Shenjtë ka bere nje surprizë duke pranuar të flasë vetëm për televizionet shqiptare dhe gazetarët shqiptarë, mes tyre edhe Sokol Balla i Top Channel, i cili fillimisht e pyeti ate, se perse kishte zgjedhur te vizitonte vendin e pare, ne Europe, Shqiperine.

Sokol Balla: Shenjtëria juaj, ju vizituat Shqipërinë, një vend me shumicë myslimane, e vizituat në një moment kritik të situatës në botë, pasi ju vetë keni thënë që Lufta e Tretë Botërore ka filluar tashmë. Mesazhi juaj në Tiranë ishte vetëm për shqiptarët apo edhe për të tjerët?

Papa: Edhe për të tjerët. Ishte një mesazh paqeje, bashkëjetese, vëllazërimi dhe vende të tjera, që kanë të njëjtat ngjashmëri me rrënjë të ndryshme etnike. Ju thatë që ka shumicë myslimane, por nuk është një vend mysliman. Eshtë një vend europian. Për mua kjo ishte surprizë. Shqipëria është një vend europian për kulturën që ka dhe kulturën e bashkëjetesës që ka trashëguar.

– Përgjatë bulevardit kryesor, ishin varur portretet kryesore të klerikëve që u martirizuan gjatë periudhës komuniste, në një vend që ishte ateist deri 25 vite më parë. Ç’emocion përjetuat?

Papa: Prej 2 muajsh studiova atë periudhë të vështirë të Shqipërisë për ta kuptuar më mirë. Studiova pak edhe periudhën më parë. Ju keni rrënjë kulturore të bukura dhe të forta që në fillimet e historisë. Studiova vazhdimin dhe pashë që kjo ishte një periudhë mizore dhe niveli i mizorisë ishte i tmerrshëm. Kur pashë portretet e tyre, më thanë që s’janë vetëm katolikë, kishte dhe ortodoksë dhe islamikë. ‘Ti nuk duhet të besosh në Zot!, ‘Unë besoj dhe pikë!’ – për këtë i vrisnin. Prandaj them se, që të tre besimet kanë dhënë prova dhe besojnë në Zot dhe tani japin prova se kanë vëllazëri.

– Shenjtëria juaj, u nisët me një ide në kokë për shqiptarët dhe Shqipërinë. Mësuat se si një shqiptar ka vuajtur, por edhe që është tolerant. Gjetët cilësi të tjera tek shqiptarët? A janë të mjaftueshme këto cilësi për të kthyer shqiponjën në fole?

Papa: Vuajtjet që keni kaluar i pashë nga afër. Dua t’ju korrigjoj; një shqiptar nuk është tolerant, por është vëlla, një shqiptar ka aftësinë e vëllazërisë dhe më tepër se kaq dhe kjo shihet në bashkëjetesën dhe bashkëpunimin midis tre besimeve, islamikëve, katolikëve dhe ortodoksëve, bashkëpunojnë si vëllezër. Një gjë që më ka bërë përshtypje që në fillim, ishte mosha e re e popullsisë. Më thanë që ishte vendi me popullsinë më të re ne Europë. Në Shqipëri vihet re një zhvillim sipëror në kulturën dhe qeverisjen drejt kësaj vëllazërie.

Top Channel