Papa mes fëmijëve dhe të sëmurëve

21/09/2014 00:00

Qendra “Betania” në fshatin Bubq ka qenë ndalesa e fundit e udhëtimit apostolik të Papa Françeskut në vendin tonë.

Në ndryshim nga euforia e sheshit “Nënë Tereza” dhe bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, këtu pritja ka qenë më e qetë, por ethet nuk mungojë. Sepse për fëmijët jetimë që strehohen në këtë qendër dhe qindra të sëmurë, të cilët karroca me rrota nuk i ka penguar të nxitojnë drejt qendrës për të pritur Atin e Shenjtë, kjo vizitë do të thotë shumë.

Pasi është pritur nga dhjetëra njerëz të tjerë në rrugën kryesore, Papa Françesku me eskortën e tij ka ndaluar në oborrin e fshatit. Prej andej i janë drejtuar kishës së Shën Antonit të Padovës, ku Papa ka dëgjuar dëshminë e një të riu të rritur në qendër dhe drejtoreshës Monica Bolonji.

Pas fjalës së mbajtur në Kishën e Shën Antonit të Padovës, drejt Atit të Shenjtë u derdhën qindra qytetarë që e prisnin jashtë saj për të marrë bekimin e tij.

“Isha afër dhe dridhem akoma sepse është një gjë që nuk ndodh shpesh në jetë. Pastaj për ne që jemi të rinj është një mesazh vërtet i bukur. Mendoj që ia vlejti të vish nga Italia, por edhe po të ishim në fund të botës do ta ribëja”, u shpreh një i ri italian.

“Nuk arrij ende të besoj dhuratën që na u bë sot. Emocioni është i papërshkrueshëm dhe jemi të gjithë të gjithë të elektrizuar për këtë moment të bukur”, tha një tjetër.

“Në fund e përqafova. Ai më bekoi ishte një emocion i madh dhe dola duke qarë nga gëzimi. Ishte shumë bukur”,  tha një vajzë e vogël nga Italia.

Kjo ka qenë mënyra me të cilën Ati i Shenjtë ka përmbyllur vizitën e tij historike në vendin tonë. Duke takuar qindra njerëz në nevojë dhe duke dhënë një mesazh të fortë bamirësie dhe paqe.

Top Channel