Të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine dhe pastrim parash, SPAK godet grupin kriminal, dërgohen në gjyq 24 persona Në Shqipëri, Papa Fraçesku gjen një kishë në rritje, në një vend që ende është duke u mësuar me konceptin e demokracisë, e që po mëson sërish çfarë do të thotë të besosh në Zot. Disa breza u rritën në një shoqëri, e cila u përpoq ta fshinte Zotin nga ndërgjegjia publike e private.
Në sytë e At Carlo Lorenzo Rossetti, i vendosur këtu që prej 2003-shit e i cituar nga shoqata katolike e bamirësisë “Aid to the Church in Need”, Shqipëria është si një “adoleshent” që vuajti një fëmijëri të ashpër, të vështirë, ndërsa tani po kalon nëpër procesin e rritjes.
Në aspektin social duhet parë si një vend, që përpiqet të kapërcejë të shkuarën, atë të kaluar të tmerrshme të diktaturës, ateizmit dhe izolimit të plotë. Tundimi më i madh është të dorëzohesh, të heqësh dorë e ta harrosh këtë vend, me arratisje përmes emigracionit.
Politikisht, ajo ende po mëson se çfarë është demokracia. Të mos harrojmë, – thote At Rossetti, – se ky lloj sistemi politik, i konsideruar më se normal në botën perëndimore, në vendin e varfër të Europës Lindore nuk kishte ekzistuar kurrë deri më tani.
Trashëgimia klasike e filozofisë greke, kulturës qytetare romake dhe natyrës shpirtërore biblike, të cilat qëndrojnë në themelet e demokracisë moderne dhe të drejtave të njeriut, në historinë shqiptare, në masë të madhe janë anashkaluar.
Ekonomikisht pastaj, vazhdon ecjen pas nisjes nga pika zero. Rreziqet e mëdha mbeten korrupsioni, shfrytëzimi, mungesa e të drejtave të punëtorëve… Por, ajo që At Rossetti thekson më fort është fakti që Shqipërisë i duhet t’u rezistojë sot dy tundimeve të mëdha të kohës: ateizmit dhe fundamentalizmit islamik.
Në këtë sens, mendimi i moderuar fetar mund të jetë shumë i dobishëm në propozimin e një modeli pozitiv të familjes, thotë At Rossetti. Sfidat e kishës – sipas tij, – janë disa, ndër të cilat në radhë të parë vjen përmirësimi i jetës së krishterë, përmes rizbulimit të qëllimit të saj fillestar, i cili është ungjillizimi, përcjellja e fjalës së Krishtit, që zbulon identitetin e vërtetë të çdo qenieje njerëzore.
Jemi të gjithë bij të Zotit, përfundon ai, të destinuar për jetë të përjetshme e gëzim, por mbi të gjithë për të jetuar me njëri-tjetrin në dashuri e harmoni të pakushtëzuar.
Top Channel