Arqipeshkvi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Imzot Rrok Mirdita, në një intervistë ekskluzive për Top Channel, flet për vizitën e Papa Françeskut nesër në Shqipëri.

Kreu i Kishës Katolike shqiptare nuk përjashton mundësinë që Papa të dalë edhe jashtë protokollit të përcaktuar për të takuar njerëz në shesh.

Pandi Gjata: Imzot Rrok Mirdita ju jeni nga të parët njerëz që e jeni njoftuar për ardhjen e Papa Françeskut këtë të diel. Nga e morët lajmin dhe si e pritët?

Imzot Rrok Mirdita: Nuk do të thosha ndër të parët, pasi ftesa është bërë në emër të Konferencës Ipeshkvnore. Kryetari i saj, me një letër, shpreh dëshirën për një vizitë. Më pas me vullnetin dhe dëshirën e qeverisë. Tentativa të mëparshme na kanë dhënë një lloj shpresë dhe sigurie se Papa do ta realizojë këtë vizitë. Gjithmonë është treguar vullneti i mirë. Kuptohet që për ne konfirmimi ishte më parë se shpallja zyrtare e vizitës.

Pandi Gjata: Papa Françesku është impostuar si Papa i periferive dhe jo i vendeve të zhvilluara. Mund të themi që është edhe kjo një ndër arsyet që ka zgjedhur të vizitojë Shqipërinë?

Imzot Rrok Mirdita: Motivimi i ardhjes së Papa Françeskut ka dalë nga Ati i Shenjtë sepse ai i ka dhënë disa shpjegime, sa do të shkurtra, që vjen për të vizituar një vend, i cili për rrethana historike nuk e ka atë nivel zhvillimi si vendet e tjera. Gjithashtu edhe për të na inkurajuar, për të na dhënë një shtysë për punën e bukur që është filluar 21 vite më parë, që nga ardhja Papa Gjon Palit II. Është përmendur dhe është vlerësuar edhe bashkëjetesa dhe harmonia fetare, të cilat në ditët e sotme janë mjaft të rëndësishme. Papa Françesku e ka vlerësuar edhe Këshillin Ndërfetar, i cili është edhe ndër të rrallët në botë.

Pandi Gjata: Mesazhet e Papa Françeskut janë për të gjithë shqiptarët, por do të jenë edhe për tej shqiptarëve, një mesazh që do të përcillet për rajonin dhe mbarë botën. Çfarë rëndësie merr një fjalë e Atit të Shenjtë nga Shqipëria?

Imzot Rrok Mirdita: Kisha Katolike ka edhe një pushtet jashtëzakonisht të lart morat dhe një mesazh i Atit të Shenjtë për shoqërinë tonë apo për besimet tona është një mesazh i fuqishëm jo vetëm për rajonin, por edhe përtej rajonit. Shpesh ka spekulime se feja është bërë shkas edhe i përçarjeve ndërmjet popujve, por harmonia fetare në Shqipëria tregon se kjo nuk është e vërtet.

Pandi Gjata: Axhenda e Papa Françeskut në Shqipëri është shumë dinamike, ka një sërë takimesh, por mendoj që kulmi i saj është mesha që do të mbahet në kryeqytet.

Imzot Rrok Mirdita: Vizita e Papës nuk është vetëm apostolike, por ai është edhe kryetar i një shteti, me të cilin ne kemi marrëdhënie tashmë 23-vjeçare. Është e domosdoshme që për të vizituar një vend Papa duhet të ftohet nga kisha e atij vendi, por edhe nga autoritetet më të larta. Sigurish që ngjarja kulmore është Mesha, të cilën e udhëheq Ati i Shenjtë.

Pandi Gjata: Papa Françesku vërtet ka një vizitë protokollare, por nuk është se i qëndron shumë strikt dhe protokollit. A mund të kemi ndonjë moment kur ai mund t’i shkëputet vizitës?

Imzot Rrok Mirdita: Papa është vërtet një personalitet ndryshe, i cili dëshiron të qëndrojë me njerëzit dhe të jetë sa më afër tyre. Por kjo afërsi krijon edhe rrezikshmëri ndaj një autoriteti siç është Papa dhe ndonjëherë nuk mund të pajtohen, pasi krijon shqetësime për ata që janë përgjegjës për sigurinë e tij. Megjithatë ndonjëherë Papa i kapërcen të gjitha dhe ne e kemi vënë re që ai del nga norma protokollare. Një vuajtje, një problem të individit ai e lexon në fytyrën e tij dhe ai dëshiron t’i afrohet, t’i japi një vëmendje të veçantë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA