Apeli zbardh vendimin për Fullanin dhe Golemin

18/09/2014 00:00

Gjykata e Apelit zbardhi këtë të enjte argumentet që e bindën të ndryshonte masën e sigurisë nga ‘arrest me burg’ në ‘arrest shtëpie’ për ish-guvernatorin e Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.

Trupa gjyqësore arsyeton se, në bazë të provave të marra dhe pretendimeve të palëve, vendimi i shkallës së parë ndaj personit nën hetim, Ardian Fullani, duhet të ndryshonte për disa shkaqe të radhitura prej saj, që nga fakti se prokuroria nuk arriti ta bindte për nevojat e ngutshme prej të cilave ish-guvarnatori duhej mbajtur në burg.

Konkretisht, thotë gjykata, nuk provohet se personi nën hetim është apo paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore, se është thirrur dhe nuk është paraqitur, apo se ka tentuar të largohet jashtë vendit.

Apeli replikon me vendimin e gjykatës së shkallës së parë duke vlerësuar se, në rastin e Fullanit, vendosja e ‘arrestit me burg’ në mungesë nuk mund të jetë e përligjur për sa kohë në momentin e gjykimit në mungesë të tij rezulton se ai ka qenë duke ushtruar normalisht funksionet dhe kompetencat si guvernator i bankës, në shërbim të interesave të shtetit dhe të qytetarëve.

Fullani, thotë gjykata, nuk ka patur tendenca për t’iu fshehur gjykimit. Përkundrazi, vijohet më tej, ai ka bashkëpunuar me organin e prokurorisë.

Gjykjata shpjegon se, përsa i përket riskut të ndërhyrjes në procesin e drejtësisë, nuk ka asnjë provë që të provojë se i dyshuari Adrian Fullani të ketë kryer veprime, në mënyrë që të pengojë në zbardhjen e çështjes.

“Përkundrazi, ai ka bashkëpunuar, i është përgjigjur pyetjeve të dërguara me shkresë, duke vënë në dispozicion të prokurorisë të gjithë dokumentacionin e kërkuar dhe nuk është larguar në asnjë moment”, thotë vendimi.

Gjykata e Apelit zbardhi gjithashtu vendimin për ish-isnpektoren e përgjithshme Elivar Golemi, për të cilën çmon se, bazuar në tërësinë e akteve të fashikullit hetimor, ndaj kësaj shtetaseje ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ajo mund të jetë autore e veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Kjo, pasi sipas trupës gjyqësore ekzistojnë elementë të mjaftueshëm, si dhe rrethana fakti të tilla të cilat i krijojnë dyshimin Gjykatës së Apelit se personi nën hetim mund të jetë autor i kësaj vepre penale, duke qenë se dyshohet se dëmi mund të ketë ardhur si pasojë e drejtpërdrejtë e moszbatimit të përsëritur të detyrave periodike nga ana e Departamentit të Kontrollit, i cili drejtohej nga Inspektori i Përgjithshëm Elivar Golemi, person nën hetim.

Golemi, sipas gjykatës, nuk ka raportuar periodikisht pranë Këshillit Mbikëqyrës, nuk ka audituar Departamentin e Emisionit e konkretisht arkën për veprim dhe arkën stok, të konsideruara pika rreziku, detyra të cilat në rast se do të ishin zbatuar me përpikmëri do të kishin shmangur kryerjen e veprës penale të “vjedhjes” në Bankën e Shqipërisë.

Top Channel