Portretet e martirëve në bulevard

17/09/2014 00:00

Në prag të vizitës së Papa Franceskut në vendin tonë, në kryeqytet
vijojnë punimet për restaurimin e sheshit “Nënë Tereza” dhe ndryshimit
të fytyrës së bulevardit kryesor.

Gjatë ditës së sotme përgjatë të gjithë rrugës janë vendosur foto të 40 martirëve të Kishës Katolike, 38 prej të cilëve janë vrarë gjatë viteve të komunizmit dhe 2 të tjerë historikë. Këto 40 emra kanë kaluar fazën dioqezane dhe gjenden në Vatikan për të pritur shenjtërimin.

“Është një nderim dhe përkthim në formë publike i një prej dy mesazheve të Papës, që kur tha pse kishte pranuar ftesën për të ardhur në Shqipëri përmendi vuajtjet e këtij populli në vitet e diktaturës. Dhe kjo është prova se dëshmorë të këtij martirizimi janë edhe këta personazhe. Motivi i dytë ishte bashkëjetesa fetare që shoqëria shqiptare ka pasur dhe vazhdon të ketë”, deklaroi ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Nje tjetër element është vendosja e flamurit të Vatikanit përkrah atij shqiptar si dhe postulate të shkëputura nga mesazhi i paqes i Papa Franceskut. Ndërkohë në sheshin ‘Nënë Tereza’ vijon puna për restaurimin e fasadave të godinave që rrethojnë sheshin, rregullimin e trotuareve dhe ndriçimin e sheshit.

“Do t’ju ftoj sërish në ditët në vijim për të parë ndërtimin e altarit. Po punohet intensivisht dhe me tre turne dhe gjithçka do të jetë gati para vizitës së Papës”, shtoi Kumbaro.

Top Channel