IMEI, Kushtetuesja pezullon vendimin

17/09/2014 00:00

Gjykata Kushtetuese vendosi t’i japë të drejtë Partisë Demokratike në kërkesën e saj për pezullimin e zbatimit e të një vendimi të qeverisë, sipas të cilit brenda pak javësh qytetarët duhet të dorëzonin tek kompanitë celulare IMEI-n, numrin identifikues të apartatit celular.

Vendimi i pezullimit do të thotë që qeveria nuk mund ta ngrejë bazën e të dhënave pranë Ministrisë së Financave, që sipas Partisë Demokratike do t’i jepte qeverisë mundësinë të kontrollonte jetën personale të çdo qytetari nëpërmjet aksesit në celular.

“Ndaj dhe vendimi i sotëm është një vendim drejtësie, i cili padyshim duhet përshëndetur si një shenjë e mirë se zëri i qytetarëve kundër dhunës qeveritare mund të dëgjohet, dhuna qeveritare mund të zmbrapset në rast se institucionet funksionojnë, arrijnë t’i qëndrojnë në themelet e pavarësisë duke bërë të mundur të ndalin veprimet arbitrare dhe autoritariste të kryeministrit që kërkonte të bëhej “Vëllai i Madh” duke përgjuar çdo qytetar të vendit.

Partia Demokratike i kërkon kryeministrit të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe vendimet e tjera të kësaj gjykate, të cilat janë të detyrueshme, janë të panegociueshme.

Zbatimi i vendimit të gjykatave ka të bëjë me themelin e demokracisë dhe kjo është një betejë që Partia Demokratike do ta bëjë çdo ditë, pa u lodhur, në emër të interesave të vendit”, deklaroi deputeti Eduart Halimi pas shpalljes së vendimit.

Top Channel