Iu gjetën 10 kg kanabis me vete, vihet në pranga 41-vjeçari në Shkodër
Papa Francesk, viziton Shqipërinë këtë të diel dhe vëmendja është
përqendruar në qëndrimin e tij, vizitat, takimet dhe ceremonitë e organizuara me këtë rast historik për vendin tonë.
Ati i Shenjtë do të mbërrijë në aeroportin “Nënë Tereza”, në orën 9:00 të mëngjesit të së dielës, ku i është rezervuar pritje zyrtare nga Kryeministri Edi Rama dhe disa përfaqësues të Kishës Katolike.
Në orën 9:30 është planifikuar ceremonia e mirëseardhjes në oborrin e Presidencës, shoqëruar me një vizitë kortezie me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani.
Ora 10:00 do ta gjejë Papën në në sallën e pritjes së kreut të shtetit, në një takim me autoritetet dhe më pas do të ketë një fjalim nga ana e tij.
Një orë më vonë, në sheshin “Nënë Tereza”, Ati i Shenjtë do të kremtojë Meshën e Shenjtë. Do të bashkëkremtojnë me të edhe 2 kardinalë, 18 ipeshkvinj, 240 meshtarë, 10 seminaristë dhe 4 diakonë.
Në hapësirën para altarit, do të vendosen një grup të sëmurësh, për të cilët Papa Francesku ka gjithmonë kujdes të veçantë, disa të rinj të dioqezave të Shqipërisë, të Kosovës dhe të Malit të Zi, si edhe një numër personash, të ftuar nga Kisha Katolike, ndër këtë zyrtarë të lartë të shtetit, përfaqësi diplomatike në Shqipëri, besimtarë dhe persona që i kanë qëndruar pranë Kishës në këto 20 vite.
Ndërkohë janë marrë masa edhe nga Ministria e Shëndetësisë, me vendosjen e disa ambulancave dhe ekipeve mjekësore ne shesh, me qëllim ndërhyrjen në rast problemesh. Po ashtu do të ketë vullnetarë të Kishës Katolike, si edhe do të vendosen disa tenda për të shpërndarë ujë.
Në orën 13:30 është planifikuar një takim dhe drekë me ipeshkvinjtë shqiptarë dhe me shpurën papnore në Nunciaturën Apostolike.
Në mjediset e Nunciaturës Apostolike Ati i Shenjtë do të takojë Ministrin e Brendshëm Z. Sajmir Tahiri me një grup bashkëpunëtorësh të Ministrisë së Brendshme.
Në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”, Papa do të takohet me krerët e besimeve të tjera dhe komuniteteve të krishtera. Ati i Shenjtë duke vlerësuar bashkëjetësën fetare në Shqipëri ka shprehur dëshirën të takojë personalisht përfaqësues të komuniteteve fetare të vendit tonë. Në këtë takim do të marrin pjesë përfaqësues nga komuniteti mysliman, ortodoks, bektashian, katolik dhe protestant. Ky takim do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Në orën 17:00 do të jetë kremtimi i lutjes së mbrëmësores në Katedralen e Tiranës. Në këtë takim do të marrin pjesë rreth 800 meshtarë, motra, rregulltarë dhe rregulltare si dhe përfaqësues të lëvizjeve laikale në Shqipëri.
Në Bubq do të jetë ndalesa e fundit e Papës, ku do të takojë fëmijët e qendrës “Betania” dhe një përfaqësi personash të qendrave të tjera të bamirësisë të Kishës në Shqipëri.
Në orën 19:45 në aeroport do të zhvillohet ceremonia e largimit të Papës nga vendi ynë dhe 15 minuta më vonë, Ati i Shenjtë do të lerë tokën shqiptare.
Top Channel