Ka mbetur më pak se një javë nga vizita e Papa Françeskut në Shqipëri, një vizitë e vlerësuar historike që e bën tokën tonë të parën në Europë që do të shkelet nga kreu i Kishës Katolike, dhe jo pa shkak.
Kur njoftoi vizitën Papa Françesku vlerësoi tolerancën fetare në vendin tonë si një shembull për t’u ndjekur në mbarë botë. Pikërisht tolerancës dhe bashkëjetesës fetare iu kushtua edhe emisioni “Shqip” i kësaj të hëne ku të ftuar në panelin e zhvendosur në një nga kullat e Tiranës ishin përfaqësues të lartë të feve kryesore të shqiptarëve në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë dhe Mal të Zi.
I pari që mori fjalën ishte Imzot Angelo Massafra që tha se në axhendën e Papa Françeskut është edhe një takim i përbashkët më drejtuesit më të lartë të komuniteteve fetare në vendin tonë për të promovuar pikërisht tolerancën e institucionalizuar në vendin tonë nga krijimi i Këshillit Ndërfetar Kombëtar.
“Papa Françesku ka në axhendë një takim me gjithë krerët e fesë në Shqipëri. Është një prej gjërave më të bukura që mund t’i prezantojme Papës, Europës dhe gjithë botës. Harmonia mes nesh është një shembull i mirë për Europën”, tha Imzot Angelo Massafra.
Në fjalën e tij, kreu i Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjëve, Haxhi Baba Edmond Brahimaj ftoi shqiptarët ta presin Papën në paqe, mirësi dhe dashuri, ndërsa përfaqësuesi i komunitetit mysliman, Ali Zaimi në emër të komunitetit që përfaqëson vlerësoi vizitën si dhe shprehu kënaqësinë që besimtarët katolikë shqiptarë do të kenë pas pak ditësh liderin e tyre shpirtëror.
Mitropoliti i Korçës, Hirësia e Tij, Joan Pelushi e cilësoi vizitën si një gëzim të madh dhe një promovim për Shqipërinë. “Është një gëzim i madh, ky është një promovim që Shqipëria të jetë në qendër të vëmendjes botërore dhe ndoshta është ndër rastet e pakta për të dhënë një shembull që njerëz të besimeve të ndryshme mund të jetojnë në paqe. Për fatin tonë të mirë në Shqipëri komunitetet janë drejtuar nga nejrëz me mendje të hapur që kanë zhvilluar gjithmonë dialogun”, tha ai.
Sekretari i Përgjithshëm i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu tha se mesazhi i Papës në Shqipëri do të jetë i fuqishëm për t’u marrë shembull. “Tolerancën dhe harmoninë fetare nuk e kanë shumë popuj. Kjo tregon se sa jemi të gatshëm të jetojmë me njëri-tjetrin”, deklaroi ai.
Vizita u vlerësua edhe nga përfaqësuesi i komunitetit të myslimanëve shqiptarë në Ulqin i cili tha se ngjarja është me rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë shqiptarët në rajon.
Vizita e Papës është veçanërisht domethënëse për shqiptarët katolikë të Malit të Zi. Imzot Zef Gashi tha se vizita bashkon gjithë ipeshkvitë dhe pritet me shumë gëzim dhe entuziazëm sepse jep frymëzim për të gjithë.
Për komunitetin mysliman të shqiptarëve në Maqedoni vizita e Papës është e një rëndësie të veçantë për vetë faktin se vlerëson dijetarët shqiptarë që kanë mbjellë ndër vite harmoninë dhe tolerancën fetare.
Edhe Vëllazëria Ungjillore përshëndet vizitën e Papës. “Vëllazëria Ungjillore e mirëpret këtë vizitë në vendin tonë dhe i uron atij mirëseardhjen dhe do të ofrojë atë mikpritje të zemrave shqiptare me këtë rast. Papa vjen me një mesazh paqeje, vëllazërie, pajtimi dhe faljeje, një mesazh që nuk është vetëm për Shqipërinë dhe kombin shqiptar, por një mesazh për Ballkanin dhe më gjerë. Kush më tepër se sa ky rajon ka nevojë të dëgjojë këtë mesazh të Papës pasi të gjithë e dimë se ka qenë një rajon i konflikteve të mëdha”, deklaroi pastori Ali Kurti.
Pjesa e dytë e emisionit nisi me prekjen e disa problemeve dhe shqetësimeve të komuniteteve fetare. Problemi i parë ishte ai që ka përfshirë dhjetra të rinj shqiptarë në Kosovë dhe Maqedoni që janë rreshtuar në krah të ISIS në luftën në Siri dhe Irak. Përfaqësuesit e Komuniteteve myslimane shqiptare në Maqedoni dhe Kosovë dënuan fenomenin dhe ripërsëritën thirrjet e lëshuara vazhdimisht për të mos iu bashkuar ISIS-it, që sipas tyre nuk ka lidhje me fenë islame.
Ndërsa Hirësia e Tij, Joan Pelushi iu përgjigj disa akuzave të ngritura kundër kishës ortodokse nëpër media dhe rrjete sociale ku akuzohet se ka humbur pavarësinë dhe se meshat i zhvillon në gjuhën greke.
“Kisha ortodokse është shqiptare. Meshat mbahen shqip dhe kjo është lehtësisht e verifikueshme. Mjafton të shkosh në një kishë dhe të dëgjosh. Ne u jemi përgjigjur këtyre akuzave, por shurdhi më i keq është ai që s’do të dëgjojë. Edhe kryepeshkopi e mban meshën në shqip, por njerëzit ngatërrojnë meshën me predikimin që kërkon zotësi më të lartë gjuhësore”, u shpreh ai.
Kreu i bektashinjëve Haxhi Baba Edmond Brahimaj tha se Kryegjyshata Botërore ka ndjekur dhe promovuar vazhdimisht tolerancën fetare. Ai solli disa shembuj historikë jo vetëm të bashkëjetesës, por edhe të sakrificës dhe mbrojtjes që shqiptarë të feve të ndryshme i kanë bërë njëri-tjetrit.
Në pjesën e tretë të ftuarit vunë theksin tek vijimi i dialogut mes komuniteteve fetare për të shmangur problemet eventuale që mund të lindin.
Top Channel