Përgatitjet për vizitën e Papës

14/09/2014 00:00

Një javë nga vizita e konsideruar historike e Papa Françeskut në Shqipëri, janë intensifikuar punimet  dhe zbukurimet ë rrugën që do të përshkruajë Ati i Shenjtë në kryeqytetin shqiptar.

Në rrugën nga aeroporti ndërkombëtar i Rinasit, janë vendosur flamuj në të dyja anët e saj, ndërsa punimet për gjelbërimin e rrugës nuk janë ndërprerë as kur moti po punon kundër.

Rruga që do të përshkruajë Papa nga aeroporti drejt sheshit “Nënë Tereza”, ku edhe do të mbahet mesha solemne, është shënjuar gjithashtu nga vendosja e flamujve, por edhe portretit të Papës nëpër banderola.

Çdo kryeqytetas që i ka rënë rasti të kalojë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ka vënë re rregullimin e fasadave, lyerjen së shtyllave të ndriçimit, e sistemin e gjelbërimit të tij. Ndërsa punimet kulmojnë në sheshin “Nënë Tereza”, ku është duke u instaluar skena për mbajtjen e meshës.

Por java që i paraprin ardhjes së Papës në Shqipëri është e ngjeshur edhe me aktivitete për vizitën historike. Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, e çelin këtë javë me mbajtjen e konferencës shkencore: “Kisha katolike dhe shqiptarët presin Atin e Shenjte” paraditen e së hënës.

Aktivitete do të ketë përgjatë gjithë kësaj jave, për ngjarjen historike që shënohet jo vetëm si vizita  e parë e Papa Frençeskut në Shqipëri, por edhe si vizita e tij e parë në Europë pas zgjedhjes në krye të Vatikanit.  

Top Channel