Ilir Yzeiri – Shpërthimi i Berishës dhe akuzat e tij se arrestimi i Fullanit ishte një akt stalinist pasuan mbrojtjen e egër dhe të rëndë që i bëri pronari i TV Klan në emisionin e Fevziut.
Më në fund duket se palët kanë zënë pozicionet e tyre dhe Berisha bashkë me aleatët e tij mediatikë dhe miqtë e klanit të tij, e shohin Fullanin si një gjymtyrë të trupit të tyre. Kështu, guvernatori i Shqipërisë nuk është më zyrtari i lartë që akuzohet se ka shpërdoruar detyrën, duke krijuar me dashje ose pa dashje terrenin për vjedhjen më të madhe që i është bërë shtetit shqiptar, por ai tashmë duhet të vështrohet si një pjesë e atij klani që na ka qeverisur për tetë vjet dhe tani, në opozitë, shfaqet si një trup i vetëm, si një klan që jo vetëm nuk pranon asnjë akuzë, por kërkon ta zhvendosë këtë ngjarje nga terreni juridik në atë politik. Të gjithë janë në të drejtën e tyre për sa kohë që guvernatori shqiptar është nën hetim dhe për sa kohë ai deri në një vendim të formës së prerë parashkruhet i pafajshëm.
Populizmi dhe viktimizimi i turmës
Është shumë e çuditshme ajo që ndodh në psikologjinë e turmave dhe të njerëzve në përgjithësi kur ajo projektohet si një identitet më vete dhe merr përsipër rolin e prokurorit apo të gjykatësit. Është e njohur në historinë njerëzore histeria e turmave për të kryqëzuar viktimat. Pa përmendur rastin emblematik të Barabës me Krishtin, mjaft të kujtojmë gjyqet popullore në Shqipëri pas vitit 1945 dhe thirrjet histerike: “Në Litar! Në Litar!” Regjimet totalitare të Lindjes ku u përfshi dhe vendi ynë, e zgjeruan këtë përmasë të histerisë kolektive dhe promovuan popullin si instancë supreme të drejtësisë dhe jo ligjin. Edhe në rastin “Fullani”, menjëherë vërshuan thirrjet histerike të disa turmave që u paraqitën si zëdhënëse të publikut, të cilat nisën të mbledhin firma anekënd Shqipërisë për largimin e Fullanit. Në fakt, asnjëherë nuk u tha që në krye të këtyre shoqatave ishin njerëzit e PD-së, të lidhur me të dhe me frymëzim PD-ist. A kanë vepruar me vullnetin e tyre apo me nxitjen e PD-së këtë nuk e them dot. Në Shqipëri është bërë sport popullor përfshirja e publikut në çështje të karakterit ligjor, politik. Në Shqipëri nuk të mbështet askush nëse ti do të dalësh të kërkosh të drejta ekonomike apo sociale, por për të protestuar për dasmën e Erion Veliajt i gjen menjëherë disa njerëz. Kështu, rasti “Fullani” erdhi e u bë një sport nacional sepse ai, me kokëngjeshje jo vetëm që nuk dha dorëheqjen atëherë kur gjithë opinioni e priste atë, por, përkundrazi, nisi të sillej sikur vjedhja e Bankës ishte bërë nga jashtë Bankës, nga ata që i kërkonin dorëheqjen. Edhe Këshilli Mbikëqyrës, me përjashtim të zonjës Meksi, i sfidoi të gjithë në mbledhjen e radhës duke e rikonfirmuar përsëri Fullanin si guvernator dhe duke renditur madje edhe sukseset e tij. Në nënvetëdije kjo skenë të kujtonte atë të vitit të largët 1997 kur vendi digjej flakë dhe Berisha jo vetëm që nuk jepte dorëheqjen, por rizgjidhej president. Dhe bash në këtë pikë ndërhyn prokuroria, e cila i kaloi pritshmëritë e publikut. Ajo e arrestoi Fullanin dhe kryembikëqyrësen. Imazhet e guvernatorit me pranga, futja në makinën e policisë, pamjet e djalit që i çon ushqimet në burg babait, shkurt të gjitha këto e gjetën të papërgatitur opinionin dhe turmat. Pati prej atyre që filluan të kenë mëshirë dhe faji u transferua nga Fullani te prokuroria. Në fillim me gjysmë zëri pastaj me ulërima, Berisha dhe pronari i Klanit e quajtën prokurorin stalinist dhe e projektuan gjithë këtë ngjarje si vepër të Edi Ramës.
A u vodhën lekët?
Mbrojtja e egër që po i bëjnë Fullanit Berisha dhe Basha, së bashku me pronarin e TV Klan, është pjesë e luftës politike që bën një krah i caktuar, i cili qëndron në të kundërt të opinionit tjetër. Madje, ata, duke shfrytëzuar ndjeshmërinë njerëzore të keqardhjes kur sheh një ish-guvernator me pranga në duar, kujtuan se ky mund të ishte rasti ideal për të kaluar në mbrojtje totale dhe për të ndërruar vendet, për ta projektuar prokurorin që firmosi urdhër-arrestin si stalinist dhe Fullanin si viktimë dhe si regjisor të gjithë këtij spektakli, Edi Ramën. Ndërkaq, në anën tjetër, është edhe një opinion, madje në shumicë, që mendon se prokuroria, në këtë rast, është në të drejtën e saj që të hetojë qoftë edhe duke e izoluar në qeli guvernatorin dhe kryembikëqyrësen. Mirëpo, befas të gjithë duket se e harruan skandalin dhe tani shqiptarëve duket se nuk u intereson më që paratë e tyre janë vjedhur, nuk duan të dinë më se vjedhja që reklamohet mund të jetë shumë herë më e madhe, se prokuroria ende nuk ka zbuluar as minimumin e asaj që ka ndodhur. Në fshatin e madh të quajtur Shqipëri, publiku po ndjek teatrin e radhës, atë që ka si aktor qendror Berishën i cili, ashtu siç mbrojti ata që vranë dhe urdhëruan vrasjet më 21 janar, po mbron dhe Fullanin dhe, nga ana tjetër, prokuroria që duhet të na tregojë dhe të na provojë se ku shkuan paratë e vjedhura, sa është shifra dhe cilët janë ata që na kanë vjedhur. E kam thënë edhe në shkrimin e së dielës së kaluar. Situata në Shqipëri ka ndryshuar dhe e them përsëri me bindje se Edi Rama, jo vetëm që nuk ka asnjë ndikim në këtë çështje, por ai, me dinjitetin e një shtetari serioz që nuk përzihet në punën e institucioneve të tjera, ka krijuar klimën e favorshme për prokurorinë që ajo të bëjë punën e saj pa asnjë drojë apo frikë. Ky qëndrim i Edi Ramës, bashkë me të vërtetat rrëqethëse që po publikon Izet Haxhija, po lëvizin nga drejtpeshimi psikik e politik Berishën.
Top Channel