Janë me dhjetëra kopshte e shkolla jo publike, të cilat për vite të tëra, kanë vepruar jashtë kritereve të ligjit të arsimit.

Ministria e Arsimit ka inspektuar mbi 450 institucione jopublike të arsimit bazë dhe të mesëm, dhe raporti përfundimtar pritet të dalë pas disa javësh. Zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj tha se ndaj shumë prej tyre do të merren masa drastike.

“Në këtë pikë ligji nuk të lë të bësh dualitete. Do të dojë shumë që kjo gjë të mos ndodhte, që secili nga kontributorët  të jetë me të vërtetë i tillë, ashtu siç ka pasur dëshirën kur ka hapur licencën, në mënyrë që të mos kemi degjenerim të kohës”, u shpreh Nora Malaj.

Grupet e inspektimit po shohin me rigorozitet jo vetëm kushte ku edukohet brezi i ri, por nivelin e mësuesve si dhe  programet .Rritja e nivelit të stafit mësimor në arsimin bazë, do të jetë prioritet për Ministrinë e Arsimit, pasi aty hidhen bazat e formimit të çdo nxënësi.

“Pas kësaj kontrolli më i rreptë do të jetë për sistemin parashkollor sepse kemi konstatuar që aty kemi edhe kopshte të palicencuara, të cilat do të mbyllen automatikisht. Këtu fillon deformimi më i madh. Ne nuk mund të lëmë të keqen të shtrihet në rrënjë”, shtoi Malaj

Ministria e Arsimit po inspekton të gjitha institucionet të cilat janë të licencuara.
 

Top Channel