Atletico fiton derbin madrilen, Barça vazhdon e vetme në krye

14/09/2014 00:00

Atletico Madrid fitoi për të dytin vit radhazi derbin madrilen në Santiago Bernabeu. Nëse vitin e kaluar menduam se ishte një surprizë, këtë herë skuadra e Simeones dominoi ndaj Realit dhe fitoi me rezultatin 2-1.

Edhe pse ka në formacion yje të cilët do t’i kishte zili çdo skuadër europiane, Ancelotti akoma nuk po arrin të marrë maksimumin nga ata, si në lojë ashtu edhe në rezultat.

Tiago zhbllokoi rezultatin në minutën e 10, ndërkohë që 16 minuta më vonë Ronaldo fitoi një 11-metërsh dhe e shndërroi atë në gol. Në pjesën e dytë portugezi përpiqet të bëjë diçka për skuadrën, por nuk pati mbështetjen e duhur nga pjesa tjetër e lojtarëve.

Atë që nuk bëri dot Ronaldo e bëri turku Arda Turan, i cili u fut në fushë në pjesën e dytë dhe shënoi golin e fitores për Atleticon që tashmë e sheh veten në vendin e dytë me 7 pikë, 2 më pak se Barcelona që fitoi me vështirësi 2-0 ndaj Atletik Bilbaos.

Golat e ndeshjes u shënuan të dyja nga Neymar në 10 minutëshin e fundit të takimit.

Top Channel