Arbër Zaimi – Sipas shumë ekonomistëve, kriza aktuale e ekonomisë globale, e cila tashmë ka 6 vjet që është ulur këmbëkryq, nuk është një krizë e zakonshme, por një depresion që do të rrijë shumë gjatë mes nesh.
Ky fakt tashmë është përkthyer në tri situata të njëkohësishme: a) ka pllakosur varfëria; b) centristët shkaktarë të falimentimit global kanë shtrënguar radhët rreth politikave të liberalizmit dhe austeritetit aq sa shpesh po bëjnë edhe “aleanca të gjera” dhe c) po lulëzon ekstremi i djathtë. Themi ekstremi i djathtë dhe jo të dyja ekstremet për shkak se e majta – historikisht e shtypur me zjarr e hekur që para se të mund të lindë – nuk është as për së afërmi në gjendje të përmbushë vakumin e lënë nga centristët e delegjitimuar. Ekstremi i djathtë është në gjendje shumë më të mirë dhe i përgatitur në falanga për dy arsye: së pari, sepse vetë centristët gjithnjë e kanë pasur fytyrën nga e djathta; së dyti sepse historikisht, edhe përpara krizës, këta të djathtë janë lejuar të organizohen haptazi apo fshehurazi, të perceptuar si aleatë të mundshëm, si elementë të shëndoshë të shoqërisë të cilët në perëndimin global kanë drejtuar “betejat” antikomuniste, antisindikaliste, antiimigracion, antipacifiste, antiislamiste, ksenofobe etj. Këta të djathtë kanë qenë instrumentalë në shkatërrimin e së majtës, si nëpër sheshe ashtu edhe brenda në stacionet e policive. Deri para krizës centristët janë ndier të sigurt, pasi një lloj mirëqenieje e cila nuk binte kurrë nën “nivelin X” siguronte margjinalizimin e këtyre të djathtëve të cilët pra përdoreshin thjesht si forca parapolicore, si “roje civile” për të “balancuar” demonstratat e protestat e për t’i lënë ato pa kokë.
Themi ekstremi i djathtë dhe jo lëvizjet fashiste, pasi format e këtij djathtizmi të ri janë jo gjithnjë të identifikueshme me fashizmin historik. Kështu, në Britani është UKIP-i, i cili theksin më të madh e vë në politikat antiimigracion, anti BE etj., por që vetëkonsiderohet si një forcë e konservatorizmit radikal më shumë sesa drejtpërdrejt fashiste – ndërsa në Francë është FN e Marine Le Pen-it, e cila ka zhvilluar një ultranacionalizëm antiliberal ama jo antisemit si ai që përdorte i ati deri para ca vitesh. Në Greqi, Hungari e Ukrainë kemi neonazistët, ndërsa në Gjermani për herë të parë që prej ’45 mori mandat parlamentar një apologjet i Hitlerit. Në Siri fashistët laikë asadistë luftojnë me fashistët religjiozë të ISIS-it; në Irak taboret religjiocentriste shi’ite dhe sunite instrumentalizohen prej interesave të Iranit dhe Arabisë Saudite, dy shteteve teokratike që janë ndoshta haptazi fashiste; në Izrael Bibi Netanyahu ka gjetur “zgjidhjen finale” për Gazën; ndërsa në Indi në pushtet ka ardhur Narendra Modi, një aktivist për më shumë se gjysmë shekulli në një lëvizje ultranacionaliste paramilitare – një personazh me të shkuar të përgjakur nga masakrat e mijëra myslimanëve me konsensusin e policisë dhe të ushtrisë në shtetin e Gujaratit, ku ai ishte Kryeministër gjer para një viti. Në vende të ndryshme është shfaqur djathtizmi segregacionist dhe separatist i supremacistëve: ca aktivistë e kongresmenë të Tea Party-t hodhën para ca kohësh idenë e krijimit të një “republike” aynrandiane në një pronë private të blerë në Teksas, republikë e cila natyrisht që nuk do paguante asnjë taksë ndaj SHBA-së të “komunistit” Obama, në Itali Lidhja e Veriut rreket të shkëpusë zonat e industrializuara dhe të pasura të Italisë veriore prej jugut të pazhvilluar, duke përdorur një lloj logjike racizmi të brendshëm – këtë gjë e dënon gjithë Europa, ama ndërkohë ka nisur diskutimi për krijimin e një Bashkimi Europian me “dy shpejtësi” që në fakt është ndarje mes veriut ekspansionist e në zhvillim të shpejtë dhe jugut europian në depresion e recesion. Në Ukrainë fashistët rusocentrikë kërkojnë ndarjen e zonës industriale dhe bregdetare prej Ukrainës së brendshme bujqësore-pastorale, me justifikimin se atje e kanë marrë pushtetin fashistët e tjerë, ukrainocentrikët. S’ka asgjë emancipuese apo nacional-çlirimtare në këto kërkesa për ndarje – të cilat ndjekin logjikën perverse të braktisjes së më të varfërve, duke e gjykuar varfërinë e tyre si një farë rrjedhoje e një inferioriteti të brendshëm, kulturor apo ndoshta edhe gjenetik. Ndryshe janë këto ndarje të kërkuara prej më të pasurve që i ka marrë malli për apart’heid me ndarjet që lypin popujt me “vullnete të ndrydhuna”, si fjala vjen skocezët, baskët a katalanët, ku lëvizjet separatiste janë përgjithësisht të natyrës së majtë aktiviste.
Ne si shqiptarë – jo për arsye biologjike, por thjesht si pasojë e rrethanave historike – nuk kemi të trashëguar ndonjë ndjenjë popullore të superioritetit, që do të lejonte krijimin apo suksesin e ndonjë fashizmi autokton. Megjithatë, një farë ndjenje e inferioritetit, e zilisë dhe dëshirës të pafiltruar prej mendimit kritik për të qenë si ata, mundet të prodhojë botëvështrime të ekstremit të djathtë. Këto botëvështrime, për shkak të vetëdijes sonë gjeopolitike s’do të ishin veçse servile ndaj ndonjë djathtizmi gjetiu, që do e identifikonim si “i Vëllait të Madh”. Ky “Vëlla i Madh” nuk është ndonjë shtet apo ndonjë qendër zyrtare, së cilës i lexohen e i analizohen kërkesat racionalisht. Ky entitet është një qendër pushteti e perceptuar në mënyrë okulte, si burim civilizimi, mirëqenieje dhe sigurie, por i panjohshëm dhe thelbësisht i pakuptueshëm e i pakritikueshëm. Mos u rrek ta njohësh “Vëllain e Madh”, i vogël je ti për ta kuptuar atë. Thjesht bëj si ai, pa e deklaruar që po bën si ai. Madje, pa deklaruar edhe se ai për ty është “Vëlla i Madh”, se kjo është e pathënshme. Zyrtarisht thuhet “ai është partner strategjik, historik, mik i veçantë” etj.
Për sa kohë që “Vëllai” është antimysliman, ne do shpallemi të tillë, kur ai është anti-asadist (anti-laik) dhe i shpall aleatë myslimanët, edhe ne do bëjmë ashtu. Kur “Vëllain” e kap ndonjë valë fashizmi, edhe ne do kollitemi. Kur “Vëllai” thotë “një” ne themi “njëqind”. Ultra të devotshëm, si vagon i fundit në trenat e “Vëllezërve”, qofshin këta trena të “Terapisë së Shock-ut”, të “Tregut të Lirë”, të “Privatizimit”, të “Anti-terrorit”, të “Integrimit”, të “Stabilitetit rajonal”, të “Ruajtjes së parametrave ekonomikë sipas FMN-së” e të çdo ideologjie afatshkurtër apo afatgjatë të cilën zakonisht e zbatojmë pa u përpjekur as ta kuptojmë, lëre më ta kritikojmë. Ndoshta ka qenë e pashmangshme bashkëngjitja në ndonjërin prej trenave, por këtë ne nuk do ta dimë kurrë, sepse kurrë nuk e vumë në pikëpyetje këtë bashkëngjitje.
Këtë dallim mes djathtizmit supremacist dhe djathtizmit inferiorist e bën p.sh. filozofi francez, Henri Wallon, në fjalimin funerar të Ali Kelmendit në Paris. Ai dallon aty fashizmat e fuqive të mëdha të asaj kohe, Gjermanisë e Italisë, nga fashizmi i qeverisjeve kuislinge të vendeve të nënshtruara, të cilat qeveri e perceptonin nënvendosjen ndaj fashizmit të ardhur nga jashtë si shpëtimin e vetëm në një botë të trazuar. Ky dallim bëhet i dukshëm edhe në një histori që rrëfen Petro Marko, i cili në udhëtimet e tij në Francë habitet se si njerëzit mund të lexojnë lirisht “l’Humanite”, ndërsa në Shqipëri arrestoheshe për këtë gjë. E pra, në të dyja vendet qeverisnin forca “demokratike” dhe “liberale”. Histori të tilla, të zellit tonë për t’u konformuar gjenden gjithkund. Fundi i fundit ku ne, e ku Franca.
Histori e tillë është edhe zelli i PDK-së për të djegur flamurin e ISIS-it, si ata fëmijët në klasë të parë, kur ndërkohë që mësuesja ka zgjedhur njërin prej tyre që të përgjigjet për mësimin, ata ngrenë dorën pa pushim për të thënë “mësuese, e di dhe unë, e di dhe unë”. Lutet PDK-ja, përmes këtyre gjesteve, që “mësuesja” ta shohë e ta vlerësojë servilizmin e saj performativ, se mbase kështu do ta mbajë në pushtet edhe për ca kohë.
Në këtë linjë, për ta përfunduar përfshihet edhe “mendimi”, nëse mund të quhet i tillë, i Maks Velos në intervistën e tij famëkeqe. Civilizacionist i vjetër, Maks Veloja në atë intervistë shfaqet barabar me Umberto Bossi-n që kërkon të ndajë veriun e Italisë prej jugut, pra po aq banal dhe qesharak në përgjithësimet e veta përzgjedhëse. Maks Velo shpallet antiverior dhe antiislamist, por në fakt po shpall të njëjtën gjë. Është antiverior, sepse “veriu” i tij primitiv, tribal e pasional na paska penguar “jugun” modern dhe të iluminuar që të bashkohet natyrshëm me sivëllezërit e vet europianë. Është antimysliman, sepse myslimanët nuk kanë hequr dorë nga dhuna, siç na paskan hequr të krishterët. Një komandanti të Frontit Çlirimtar të Algjerisë, kur e arrestuan francezët në gjykatë i bënë një pyetje: “Pse po vendosni bomba nëpër shporta që i lini në kafenetë tona, duke vrarë civilë të pafajshëm”. Ai u përgjigj: “Të ishte për ne, do t’ua dorëzonim menjëherë shportat tona me bomba, nëse ju do të na dorëzoni aeroplanët tuaj bombardues”. A s’do ishte e lehtë të imagjinohej një përgjigje e tillë prej ndonjë “islamisti” të Lindjes së Mesme? Heqim ne dorë nga dhuna jonë që po shqetëson me imazhet e saj primitive, po a hiqni ju dorë nga dronët, nga mbështetja e diktatorëve dhe kasapëve laikë e religjiozë, nga rrjepja e burimeve natyrore etj? Maks Velo është anti-islamist, sepse ai e sheh islamin si të ardhur të paftuar. Krishterimi duhet të ishte feja e fundit e historisë perëndimore, e cila u vë kapakun zhvillimeve në këtë drejtim, ashtu si liberalizmi demokratik perëndimor, që do duhej të ishte fund i historisë sipas Fukuyama-s. Islamistët e prishin këtë imazh utopik të atyre që kërkojnë me ngulm ndërtimin e njeriut të ri, individualist, të squllur, të pavendosur, qaraman, pasiv dhe hedonist – atij që Nietzche quante me përbuzje “Njeriu i fundit”.
Top Channel