Thuajse në fund sezoni turistik, Shqipëria kthehet në fokusin mediatik të prestigjiozes CNN.
Në artikull përshkruhen kryesisht lokalet dhe jeta e natës në kryeqytet. Duke e cilësuar Shqipërinë si një vend ish-komunist, CNN shkruan se pak vende kanë pësuar një adoptim të tillë.
Në fund të ’80-s Shqipëria, nën regjimin totalitar të Enver Hoxhës, ishte një nga shtetet më të izoluara të planetit dhe askush nuk lejohej të udhëtonte jashtë saj.
Ndërkaq, CNN e cilëson zonën e tanishme të ish-Bllokut si strehën e Hoxhës, e cila shërbente si një bastion i heshtur i elitës shqiptare, asokohe. Por, me rënien e regjimit komunist dhe me kalimin e viteve, prestigjiozja shkruan se bare të reja shfaqen pothuajse çdo ditë dhe, në fundjavë, rrugët dhe trotuaret janë të mbushura me vendas dhe turistë, në kërkim për të kaluar një natë të paharruar.
Emrat në anglisht të lokaleve i kanë bërë përshtypje gazetarëve, duke shtuar se kudo ka referenca nga Perëndimi. Por, duke i shkuar përtej fasadës së lokaleve, CNN e përkufizon standardin e çmimeve të jetës së natës, si “të lirë dhe kollaj të përballueshëm”.
Duke shkruar se paga mesatare e vendit është diku te 450 dollarë, ajo është e mjaftueshme për çmimet e pijeve, mjaft lirë sipas standardeve perëndimore.
Kris, një amerikan 19-vjeçar, familja e të cilit u stabilizua në Tiranë nga Michigani, vitin e kaluar, tregon se i pëlqen shumë ambienti i ri, sepse njerëzit nuk e kalojnë limitin e alkoolit, siç ndodh rëndom në botë, por i duket paksa e çuditshme se si liderët komunist kanë jetuar më herët në Bllok, në zonën që tani simbolizon argëtimin pa frè.
Ndërkohë dhe disa zëra të tjerë thonë për CNN, se kanë kuriozitet për të parë Shqipërinë, e cilësuar si një nga vendet më me shumë diell në Europë. Ka një tonelatë gjërash për t’u vizituar, e mbyll prestigjiozja, por pasuria më e madhe e Shqipërisë është populli i saj mikpritës dhe, nëse kjo është e vërtetë, atëherë një udhëtim për në “Bllok” duhet të jetë krye të listës së çdo udhëtimi.
Top Channel