Vjedhja e mbi 7 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë, pasojë e papërgjegjshmërisë apo e organizuar dhe me përmasa më të mëdha? Është përgjegjës apo jo ish-guvernatori Ardian Fullani, që prej javës së kaluar ndodhet në qelitë e burgut 302, apo bëhet fjalë për një lojë politike?
Këtyre pyetjeve janë munduar t’i japin përgjigje të ftuarit në emisionin “Top Story”. Përballë gazetarit Sokol Balla kanë qenë Vilson Ahmeti, ish-kryeministër i qeverisë teknike; opinionisti Mustafa Nano; gazetari Robert Rakipllari; avokat Spartak Ngjela; ish-ministri i Financave Arben Malaj dhe analisti Shpëtim Nazarko.
Ahmeti: Vjedhja, cështje financash dhe përgjegjësie
Ka qenë Ahmeti që ka marrë fjalën i pari e që nuk ka ngurruar ta quajë vjedhjen në BSH si një ngjarje të jashtëzakonshme, duke dhënë edhe arsyet përse.
“Ngjarja e bankës është pak e jashtëzakonshme sepse ka të bëjë me pjesën e menaxhimit të financës dhe përgjegjësisë që ka banka. Këtu ka një keqadministrim dhe nuk ka fare disiplinë, sepse nuk është bërë inventari. Sot përgjegjësia e menaxherëve të bankës është përcaktimi i detyrave”, ka thënë Ahmeti.
I pyetur nëse ngjarja është e influencuar politikisht, ish-shefi i qeverisë teknike është përgjigjur duke mos e përjashtuar si mundësi.
“Është fakt që në Këshillin Mbikëqyrës ka teknicienë që vijnë nga qarqet e politikës dhe në këtë rast politika ka ndërhyrjet e veta. Por drejtësia duhet të vendosë vetë”, ka nënvizuar Ahmeti.
Ai e ka përforcuar këtë opsion duke vënë në dukje se, rritja e kredive të këqija ka qenë në të gjitha rastet e ndikuar nga shteti.
“Ne nuk mund t’i themi atij, pse je i pasur apo mos jeto mirë! Ai paraqitet me kostum, e drejton bankën me kostum, por tani ka mbetur me kanatiere”, ka komentuar më tej Ahmeti.
Nano: Ngjarja, spektakolare dhe banale
Opinionisti i shtypit shqiptar, Mustafa Nano e ka cilësuar vjedhjen në Bankën e Shqipërisë “spektakolare” dhe “banale” njëkohësisht.
“Ishte një vjedhje që vë në diskutim gjithë detyrat dhe strukturat e një shteti, pasi të gjitha dyert ishin të hapura. Në këtë kuptim jam i shokuar dhe këto arrestime që janë bërë nuk më krijojnë asnjë keqardhje”, ka thënë Nano.
Sipas tij, e vetmja gjë për të ardhur keq është fakti që qytetarët shqiptarë janë skeptikë ndaj mundësisë që prangosja e guvernatorit Fullani të ketë ardhur vetëm me nismë të prokurorisë dhe jo me ndërhyrje të politikës.
“Arrestimi i Fullanit ka qenë një ngjarje e bujshme. Por është për të ardhur keq që shqiptarët, nga mungesa e funksionimit të institucioneve, mendojnë se një dorë politike mund të jetë ajo që ka organizuar arrestimin e tij”, është shprehur Nano.
“Unë në këtë histori nuk kam vënë re ndonjë dorë politike dhe e marr si aksion të një prokurori sovran”, ka shtuar Nano.
Rakipllari: Nuk përjashtohet ndërhyrja e politikës
Edhe gazetari Robert Rakipllari e ka cilësuar si “mister” ndërhyrjen eventuale të politikës në arrestimin e ish-guvernatorit Fullani, por megjithatë i ka lejuar vetes një hipotezë.
“Kjo është cështje informacioni që ngelet mister, aktualisht nuk kemi informacione që të tregojnë se kryeministri urdhëroi arrestimin e Fullanit. Por nga analizimi i kushteve në të cilat u krye arrestimi mendoj se, edhe pse nuk ishte kryeministri që i vuri personalisht prangat guvernatorit, ishte ai që vendosi”, ka deklaruar Rakipllari.
Sipas tij, drejtësia ka marrë krahë për të arrestuar një figurë kaq të lartë, “që do të thotë se kjo qeveri i ka dhënë një dorë prokurorisë”.
“Pastaj aludimet janë të shumta. Nuk duhet të harrojmë as paratë marramendëse që harxhonte BSH në restorante, sport, etj”, ka komentuar Rakipllari.
Duke shtuar se si vjedhja edhe arrestimi kanë paqartësi, kryeredaktori i gazetës “Panorama” ka kritikuar edhe mënyrën e arrestimit të ish-guvernatorit.
“Para arrestimit, opinioni publik fliste për përgjegjësi administrative, jo penale. Ai është arrestuar për shpërdorim detyre, por nuk mund të arrestohet dikush dhe pastaj të gjenden provat. Është e kundërta”, ka thënë ai.
Ngjela: Paratë i vodhi Fullani
Më i rreptë ndaj ish-guvernatorit Fullani është treguar avokat Spartak Ngjela, i cili në fjalën e tij e ka përjashtuar kategorikisht mundësinë e përfshirjes së kryeministrit Edi Rama në arrestimin e tij.
“Rama s’ka lidhje fare me arrestimin e Fullanit apo me Bankën e Shqipërisë. Që të hysh në atë bankë duhet të marrësh “vizë”. Ai është pronar i të gjithë parave që kemi në treg, as qeveria e as Rama s’kanë gjë në dorë. Ato para ai i ka hedhur në treg sipas politikave të tij monetare. Ai është arrestuar vonë”, ka deklaruar Ngjela, i cili e ka konsideruar të mundshme ndërhyrjen e politikës në një aspekt tjetër.
“Është guvernatori që ka vjedhur bankën nga brenda dhe jo nga jashtë. Jashtë janë rojet, brenda është guvernatori. Për këto veprime guvernatori një garanci e kishte marrë. Kjo, sepse mendonte se prokuroria ishte e paralizuar”, ka nënvizuar Ngjela.
Sipas tij, vjedhja me 7 milionë dollarëve është vetëm një sistem i mbulimit të kontabilitetit. “Janë dy gjëra që shtypi duhet t’i kishte kapur: e para masa monetare në vitet 2009 dhe 2011 që është 40 milionë euro; e dyta, atij që denoncoi vjedhjen i ka rënë alibia”, ka thënë Ngjela.
Ai ka shtuar se vjedhja ka nxjerrë në pah një sistem ku mungonte tërësisht përgjegjësia e llogaridhënia e që mund të ketë manipuluar tregun financiar të vendit.
“Problemi është: ku i ka paratë ky person? Ky është problemi më i vështirë, ne nuk dimë gjë fare mbi gjendjen në BSH! Deri më sot kemi pasur një bashkëjetesë me krimin shtetëror. Duhet zbuluar e vërteta dhe të bëhet një auditim financiar. Guvernatori nuk ka ndjekur aktet nënligjore, nuk ka bërë këtë, atë, etj. Faktor tjetër është nepotizmi në bankë, të gjithë janë të njohur e të lidhur me njëri tjetrin”, ka shtuar Ngjela.
Malaj: Guvernatorin e huaj nuk e lejon ligji
Ndërsa ish-ministri i Financave, Arben Malaj, në fjalën e tij është fokusuar më tepër tek dispozitat ligjore në bazë të të cilave funksionon Banka e Shqipërisë, të cilat sipas tij nuk janë zbatuar në mënyrë rigoroze.
“Pavarësia është përgjegjshmëri. Banka qendrore këtë detyrë ka. Masa e parasë që është rritur nuk është shoqëruar me rritjen e mbrojtjes. Bankat janë institucione besimi dhe një gabim i vogël shkakton një dëm që do shumë kohë që të riparohet”, ka thënë Malaj.
Në kuadrin financiar, ish-ministri ka kritikuar edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar se nuk ka qenë transparent me shqiptarët, veprim ky që sipas tij ka krijuar hapësira për hamendësi si përsa i takon marrëveshjes me qeverinë, ashtu edhe për rastin e Fullanit, duke pasur parasysh se shefi i misionit udhëtoi në Uashington për të diskutuar situatën e pasarrestimit me shefat e tij.
“FMN nuk respekton kodin e transparencës me shtypin shqiptar, kështu u bë edhe me negociatat për marrëveshjen me qeverinë. Kjo situatë krijon hapësira për hamendje, FMN dhe Banka Botërore nuk bëjnë deklarata specifike për arrestimin e guvernatorit, por mund të tregojnë se cilat mund të jenë pasojat për ekonominë”, ka thënë Malaj.
Një tjetër aspekt rëndues sipas tij është edhe fakti se bankat e nivelit të dytë orientohen nga banka qendrore. “Për t’i ruajtur institucionet nga keqpërdorimi ka një komision etike që gjykon dhe jep masën. Pra, mungojnë disa struktura që bëjnë funksionale institucionin”, ka vijuar Malaj.
Ish-deputeti i PS është shprehur kundër opsionit që në krye të Bankës së Shqipërisë të vijë një guvernator i huaj, duke nënvizuar se ky rol u takon shqiptarëve.
“Ligji e ka që guvernatori i ri duhet të jetë shtetas shqiptar. Ne nuk gëzojmë të drejtën që t’u heqim shqiptarëve atë të drejtë për të menaxhuar paratë e tyre”, ka thënë Malaj.
“Sot ka shumë shqiptarë të talentuar dhe përvoja ka treguar se vendet që kanë menduar se i zgjidhin problemet duke marrë të huaj dhe duke mënjanuar njerëzit e tyre kanë gabuar”, ka shtuar ai.
Nazarko: BSH, si organizatë kriminale
Ndërsa analisti Shpëtim Nazarko e ka vlerësuar si të më të lartë se c’duhet pushtetin e Bankës së Shqipërisë, nisur nga fakti që kontrolli i saj është më i vështirë se i cdo institucioni tjetër.
“Banka e Shqipërisë është një magazinë shumë e rëndësishme që mund të na hedhë në erë të tërëve. Nga mënyra sesi kanë rrjedhur ngjarjet besoj se skandali do të zgjerohet më shumë. Kujtojmë se guvernatori i bankës është dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyrës”, ka thënë Nazarko.
Sipas tij, në këto 25 vjet demokraci Banka e Shqipërisë nuk ka bërë detyrat e saj dhe ka vepruar në ngjashmëri me një organizatë kriminale.
“Banka nuk mund të trajtohet si magazinë. Ka 25 vjet që kjo bankë nuk ka bërë detyrat dhe nuk ka ruajtur paratë e shqiptarëve. Nëse në këto 25 vjet kemi pasur qeveri dhe shtet kriminel, BSH është akoma më kriminele”, ka thënë Nazarko.
Top Channel