Tirane, pallat ngjitur me Unazen e Re

11/09/2014 00:00

Arkitekti Artan Shkreli ka denoncuar lejen e dhënë nga Bashkia e Tiranës për ndërtimin e një pallati nëntëkatësh në krah të Unazës së Re, sipas tij në kundërshtim me ligjin dhe planin rregullues të miratuar nga vetë Bashkia e Tiranës.

“Ky pallat i cili ka mbirë në krahun tim është vetëm 2.5 metra larg nga rruga, ndërkohë që duhej të ishte 20 metra larg, por nuk mjafton vetëm kjo. Plani rregullues që ne sulmuam e që me kohën rezultoi se nuk ishte rezultues, por shkatërrues për kryeqytetin, megjithatë parashikonte që ky objekt duhej të ishte 5-6 kate, por në fakt është 9 kate. Nuk është faji i ndërtuesit, pasi ai e ka marrë lejen për 9 kate, por Basha jep leje në kundërshtim me planin e vet rregullues, që është një gjë e paimagjinueshme”, u shpreh Shkreli.

Zoti Shkreli tha se janë rreth 80 objekte të tjera, për të cilat kryebashkiaku Basha ka dhënë leje të kundraligjshme, dokumentacioni i të cilave do t’i referohet Prokurorisë.

Ndërkohë, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar ka nisur një aksion për lirimin e të gjitha hapësirave publike nga objekte apo struktura të ngritura pa lejen e organeve kompetente, apo në kundërshtim me ligjin.

INUK thotë se pronarët e këtyre subjekteve ishin lajmëruar për të kryer lirimin e territorit në mënyrë vullnetare, por asnjë prej tyre nuk ka vepruar.

Ditën e sotme, aksioni u zhvillua nga kryqëzimi i rrugës “Hoxha Tahsin” me rrugën “Bardhyl”, drejt Porcelanit në kryeqytet, ku do të ndërhyhet në 70 objekte të paligjshme. Deri tani janë prishur 15 objekte, kryesisht shtesa pallatesh, përshtatur si njësi shërbimi apo ambiente tregtare.

Top Channel