Ndue Dedaj – Kur nis një vit i ri shkollor zakonisht krijohet një pamje festive në të gjithë vendin dhe është e drejta e secilit ta përjetojë me emocion fillimin, ashtu siç dikush tjetër priret të theksojë që në ditën e parë dukuritë negative që prekin shkollën.
Pas pushimeve të verës, drejtuesit dhe mësuesit janë kthyer në shkolla, përgatisin klasat, kabinetet, laboratorët, bibliotekat, palestrat, bëjnë planifikimin vjetor, si gjithnjë. Por është dhe diçka që nuk duhet t’i shpëtojë këtij planifikimi, mbrojtja dhe siguria e fëmijëve.
Nxënësi, sa është i mbrojtur nga abuzimet?…
Rasti “Saranda” i nëpunësit që kërkon të hyjë në marrëdhënie me një adoleshente 14-vjeçare, prej favorit që do t’i krijonte nënës së saj për punësim, sa ç’është tronditës, është dhe një sinjal për qeveritarët, edukatorët, psikologët, prindërit, se fëmijët në një mënyrë a një tjetër janë pre e abuzimeve. Shoqëria ka degraduar në atë masë, sa dalin në sipërfaqe perversitete të gjithnurshme. Nuk është e rastit që mediat u investuan aq shumë për ndodhinë e sipërthënë, por ngaqë shohin përtej rastit. Pse të mos e themi, një i “sëmurë” i tillë mund të jetë dhe në personelin ndihmës të shkollës, roje, shofer me të cilin udhëtojnë nxënësit apo diçka tjetër. Ka pasur jo pak histori të trishta, veçanërisht me vajzat adoleshente, që janë kthyer në drama njerëzore. Atëherë, me këtë duhet të nisë ky vit shkollor, që e para të jetë siguria e nxënësit, jo në kuptimin policor, por si mirëqenie psikologjike. Për më tepër një shkollë qendër komunitare, projekt që rreh ta ndërkallë këtë institucion realisht në jetën e komunitetit, në ndërveprim të vazhdueshëm me të. E kjo nuk bëhet me udhëzime, por me krijimin e një klime të shëndoshë shkollore-komunitare. A mundet që dhe Kuvendi i Shqipërisë, krahas problematikave që lidhen me thesarin e shtetit, drejtësinë e të tjerë, t’i kushtojë një të enjte shkollës? Do të ishte domethënës një fokusim tani i parlamentarëve te fëmijët dhe adoleshentët.
Ka një “sëmundje profesionale” të bukur mes mësuesish, që është të folurit pareshtur për shkollën, nxënësit, përfshi dhe në pushimin e gjatë, ku ka kohë vetëm sa për një kafe. Një pasion shqiptar, me siguri që nga koha e Rilindjes, tregues i dashurisë për profesionin e mësuesisë, që në një vend në zhvillim si yni është sërish një mision. Veçse në bisedat e tyre ia vlen të mos flitet si tradicionalisht, “nxënësit lexojnë pak …” dhe kaq. Sot është një kohë tjetër, ku shpërthimet e moshës shkollore janë më të paparashikueshme, ndaj mësuesit lypet të përqendrohen më fort te dhuna dhe (sh)përdorimet e saj, deri te përrallat e kopshtit që nuk duhet të jenë me personazhe agresive, filmat horror që s’duhen lejuar me ligj të shihen nga fëmijët etj. Çka është më e rënda, po na shfaqen nënat fëmijëvrasëse prej xhelozisë e depresionit, Medeat e kohës moderne. Pra, puna ka arritur deri aty sa fëmija duhet mbrojtur dhe nga nëna që e ka lindur! Droga vërtet është një aksion i policisë në Lazarat e Dukagjin, por ajo më së pari është një alarm i përhershëm te “porta” e shkollës. Gjithnjë e më shumë në mjediset shkollore gjenden mbetjet e saj, që do të thotë se ka përdorues nga nxënësit. Urgjente është dhe mbrojtja e fëmijëve nga rrjetet sociale, ku jo pak adoleshentë janë futur në konflikte e sherre prej ngacmimeve e fyerjeve në Facebook. Teknologjia e re që ka hyrë nuk është shoqëruar me module në sferën e edukimit. Ka, pra, armiq të dukshëm e të padukshëm që i rrezikojnë fëmijët dhe kjo është qasja e shërbimit psikosocial të shkollës. Abuzimi me të rinjtë nuk është vetëm psikologjik e fizik, por edhe social, si në rastin kur u lejua masivizimi deri në absurditet i arsimit të lartë, me një pafundësi “kioskash” universitare, që jepnin mastera e grada kinse shkencore për cilindo person që të paguante tarifat e kripura. U krijua një tollovi e arsimit të lartë që nuk i shërbente tregut, ku prodhoheshin juristë më shumë se bukëpjekës. Hyrja në universitet nuk mund të jetë një tortë elektorale për popullin arsimdashës, gjë që ishte zhvlerësimi i auditorëve dhe shërbesa më e keqe ndaj rekrutimit pa meritë të të punësuarve. Kjo vërtet nuk përbën rrezik për jetën, por rrezikon seriozisht të ardhmen e shoqërisë.
Shkolla komunitare dhe integrimi social-kulturor i nxënësve
Problematika e sigurisë në shkollë nis nga gjërat e përditshme, si ajo e trafikut rrugor në pikun e qarkullimit të nxënësve, deri te konfliktet mes adoleshentëve. Kamerat janë vetëm një element sigurie, por mbrojtja e fëmijëve është një nocion që e kapërcen teknologjinë, ajo është premisë edukative dhe fiton një frymëmarrje të re në kuadrin e shkollës qendër komunitare, që synon një partneritet të ri mësues-familje-prindër. Në pamje të parë duket një gjë e vjetër sa vetë shkolla, pasi institucioni edukativ s’ka si të funksionojë pa këtë trini të “shenjtë”, mirëpo kishte mbetur formale lidhja e shkollës me prindërit, ata vinin në shkollë rrallë e më rrallë. Ka qenë gjithnjë delikate kjo marrëdhënie, pasi prindi vazhdon të jetë tradicional për nga qasja lidhur me shkollën, kujtohet vetëm kur fëmija i tij kryen veprime antisociale ndaj shokëve dhe mësuesve etj. Por nisma e tanishme kërkon diçka tjetër, ta sjellë praktikën e shkollës europiane në mjediset tona shqiptare. Atje shkolla nuk mbyllet, nuk i vihet dryni në mesditë, për të pritur të nesërmen, por është e hapur gjithë ditën në funksion të cilësisë së mësimit e edukimit, formimit të personalitetit të nxënësit etj. Kjo rrit ndjenjën komunitare mes fëmijëve, e bën shkollën më miqësore, për rrjedhojë shmang dhe qëndrimet agresive ndër ta. Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, e ka cilësuar arsimimin e gjeneratës së re si një të mirë publike që i përket komunitetit po aq sa dhe shtetit. Pjesëmarrja e nxënësve në veprimtari praktike, komunitare, përmes konkurseve, shfaqjeve letrare, ekspozitave të punëve krijuese (esé, arte figurative, miniprojekte etj.), panairit të prodhimeve artizanale e të tjerë ka qenë risia e gjimnazit të Rrëshenit vitin e kaluar, thotë drejtoresha Marie Brozi, me përvojë dhe si koordinatore e projekteve të AEDP-së (Soros). Shkolla qendër komunitare mban parasysh dhe origjinalitetin e trevave, prurjeve të traditës, deri dhe aspektin psikologjik të banorëve. Në planifikimin për vitin e ri shkollor, një nga drejtimet është dhe shtimi i masave për mbrojtjen e fëmijëve, duke zhvilluar ndjenjën komunitare mes njerëzve etj. Veprimtaritë kulturore, artistike, sportive, turistike janë në të mirë të kësaj. Me shtimin e orëve të edukimit fizik, rrjedhimisht dhe të terreneve sportive, nxënësit do të jenë më të shëndetshëm, por dhe më solidarë e konkurrues mes tyre. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka të njëjtin “sy” arsimor kudo. Thënë në mënyrë të figurshme, siç është relievi i saj i përthyer, ashtu është dhe situata nëpër shkollat e zonave rurale. Drejtuesit e Arsimit të Mirditës, Pukës etj., shprehen se nga organet e arsimit duhen mbajtur parasysh veçoritë dhe specifikat e tyre, pasi në të tjera kushte është shkolla në Laprakë dhe në të tjera në Kurbnesh e Arst-Miliska, të pakrahasueshme të paktën për nga personeli mësimdhënës etj.
Ndërkohë është e njohur strategjia globale për një tjetër qëndrim ndaj fëmijëve me ngjyrë, romë dhe egjiptianë, atyre në nevojë apo me aftësi të kufizuara, një sjellje më miqësore e fisnike karshi tyre. Shkolla komunitare nuk mund të kuptohet pa këto kategori sociale. Kjo e bën shkollën shërbyese të nxënësit dhe qendër zhvillimi në komunitet. Shkolla qendër komunitare, që ka në qendër nxënësin, rrit dhe shkallën e mbrojtjes e të sigurisë së fëmijëve, pasi ata zihen me veprimtari të dobishme, bashkëveprojnë në projekte të përbashkëta, mësojnë si të bëjnë vetë zgjidhjet dhe në këtë mënyrë realizohet mirëkuptimi midis partnerësh. Koncepti i sigurisë dhe mbrojtjes së fëmijëve është shkollor dhe shoqëror. Komuniteti dhe shkolla nuk janë dy gjëra të ndryshme. Kur një bashkësi njerëzish zhvillojnë një jetë sociale të kultivuar, pa konflikte dramatike, me biznese të mbara, me prindër të përkushtuar, atëherë shkolla ndihet e motivuar, e mirëqenë për funksionin e saj. Ajo i kthen komunitetit atë që ai ka investuar për të.
Top Channel