Vitet e fundit Kina ka rritur interesin e saj për vendet e Ballkanit. Kjo është parë edhe në takimin që Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me një delegacion të gjerë është duke zhvilluar në shtetin aziatik, ku është treguar interes për zhvillimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe ekonomisë.
Për të folur në lidhje me këtë takim dhe me investimet kineze, jo vetëm në Ballkan, por edhe më gjerë ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” eksperti i ekonomisë, zoti Ilir Ciko.
Pandi Gjata: A ka një vëmendje të Kinës drejt vendeve të Ballkanit? A është një vëmendje drejt kapitalit, drejt fuqisë njerëzore apo është diçka strategjike që po ndodh në këtë realitet të ri?
Ilir Ciko: Ka disa vite që Kina ka qenë e interesuar për rajonin, madje edhe më gjerë. Vitet e fundit Kina është kthyer në një nga investitorët më të mëdhenj në tregjet botërore, sot renditet në vendin e tretë në botë. Vetëm nga Kina dalin rreth 1/12 e të gjitha investimeve direkete që kryhen në tregjet globale. Duke qënë se renditet pas SHBA-së dhe Japonisë patjetër që është një investitor tepër i rëndësishëm për të gjitha vendet e rajonit. Në 2012 Kina njoftoi krijimin e një fondi të posaçëm për zhvillimin e Europës Qendrore dhe asaj Lindore.
Pandi Gjata: Nga Konferenca e Bukureshtit me të gjithë ministrat e vendeve të Europës Juglindore le të themi ka një qasje tjetër të Kinës ndaj këtij Rajoni apo jo?
Ilir Ciko: Kjo ka filluar edhe më parë, por gjatë muajve të fundit ka një intensifikim të konkretizimit të këtyre projekteve. Vende të caktuara kanë qenë tepër aktive për të paraqitur edhe projekte konkrete që do të financohen nga ana e Kinës.
Pandi Gjata: A mund të përfitojë Shqipëria në këtë situatë dhe si? Çfarë e ka penguar deri tani këtë marrëdhënie të lartë mes Tiranës dhe Pekinit?
Ilir Ciko: Marrëdhëniet mes dy vendeve tona kanë qenë pozitive dhe shkëmbimet tregtare kanë ardhur gjithmonë duke u rritur. Megjithatë Kina ende nuk është një ndër partnerët kryesorë të Shqipërisë dhe shpresojmë që gjatë viteve të ardhshme do të kemi një fuqizim të shkëmbimeve tregtare.
Pandi Gjata: Si qëndron Shqipëria me vendet e tjera të rajonit? Ku mund të jetë fokusi i investimeve kineze në Shqipëri?
Ilir Ciko: Në mënyrë të tërthortë investimet kineze janë prezente në mjaft fusha të ekonomisë. Linja të tëra prodhimi vijnë nga Kina dhe padyshim dhe kompanitë kineze kanë patur një interes për ta rritur aktivitetin e tyre në Shqipëri.
Pandi Gjata: A mund të jemi vend prioritar mes vendeve të Ballkanit?
Ilir Ciko: Pse jo. Duke iu referuar marrëdhënieve historike që kemi pasur me Kinën, kjo është një avantazh që Shqipëria e ka kundrejt vendeve të tjera. Gjithsesi niveli i investimeve nuk i përgjigjet këtij niveli bashkëpunimi.
Pandi Gjata: Këto lajme që vijnë për një marrëdhënie të re me Kinën, jo vetëm Shqipëria, por edhe vendet e Ballkanit, a mund të sjellin ‘xhelozi’ në BE?
Ilir Ciko: Unë do t’i shikoja si komplementare. Disa nga vendet që kanë qenë më tepër aktive në përdorimin e fondit të dhënë nga Kina janë pikërisht ato vende që janë sotë pjesë e BE-së. Është i rëndësishëm koordinimi midis partnerëve.
Pandi Gjata: Delegacioni shqiptar vazhdon të qëndrojë ende në Kinë. Është folur për të paktën dy projekte konkrete, për Portin e Shëngjinit dhe për Rrugën e Arbrit. Si i shikoni këto dy projekte dhe a ja vlejnë të jenë prioritare?
Ilir Ciko: Porti i Shëngjinit do t’i shërbejë njësoj si Kosovës ashtu edhe Shqipërisë. Të dy projektet infrastrukturore kanë dobinë e tyre në zhvillimin e lidhjeve me vendet e rajonit. Vendosja e prioriteteve është e rëndësishme, kjo për dy arsye. Së pari, duke e parë nga mundësitë financiare që ne kemi. Shqipëria ka një problem të rëndë që lidhet me borxhin e jashtëm dhe ka një angazhim serioz të qeverisë për reduktimin e këtij borxhi në të ardhmen. Në këtë kuadër, marrja e kredive të reja e vendos qeverinë përpara përgjegjësisë që duhet të përcaktojë prioritete. Po t’i kthehemi programit të qeverisë, miratuar vitin e kaluar. Unë jam plotësisht dakord me atë program për ndërtimin e “Autostradës së Gjelbër” veri-jug, si edhe “Korridori i Kaltër” veri-jug, i cili në mënyrë të menjëhershme do t’i jepte mundësi zhvillimi turizmit dhe krijimin e vendeve të reja të punës. Projekti i Shëngjinit është edhe më me vlerë, pasi i shërben jo vetëm Shqipërisë, por edhe Kosovës. Por edhe ky kërkon një vëmendje pasi edhe më parë kanë qarkulluar projekte që flasin për një mega port, por unë do të thosha që vendi jonë nuk ka nevojë për mega porte, por do të ishte mirë të fuqizonte Portin e Shëngjinit në atë mëse që do t’i nevojitej jo vetëm Shqipërisë, por edhe Ballkanit.
Top Channel