Intensifikim për zhvillimin e infrastrukturës dhe bashkëpunimin në fushën e tregtisë dhe ekonomisë. Ky ishte thelbi i takimit mes kryeministritn Edi Rama dhe homologut të tij kinez, Li Keqiang.

Kreu i ekzekutivit shqiptar, gjatë bashkëbisedimit, ka theksuar se “projektet, e diskutuara edhe gjatë takimit në Bukuresht, projekte rajonale që zhvillojnë infrastrukturën dhe ekonominë, mbeten prioritare për vendet e Ballkanit dhe përbëjnë një mundësi të shkëlqyer për të përfituar mbështetjen konkrete kineze”.

Zyra e shtypit në Kryeministri citon kryeministrin kinez të ketë deklaruar se “qeveria e tij mbetet e angazhuar për të mbështetur Shqipërinë dhe rajonin në zhvillimin e fushës së energjisë, infrastrukturës, arsimit dhe ekonomisë”.

Kryeministri Li Keqiang shprehu kënaqësinë, që shumë nga projektet e diskutuara në takimin e mëparshëm janë duke ecur në drejtimin e duhur dhe nënvizoi rëndësinë, që sipërmarrësit kinezë dhe shqiptarë të intensifikojnë bashkëpunimin dhe vizitat e ndërsjellta mes dy vendeve.

Top-Channel ka mësuar se pala kineze ka shprehur interesim të posaçëm në ndërtimin e një porti të ri në Shëngjin dhe për marrjen me koncesion të ndërtimit të Rrugës së Arbërit.

Kryeministri Rama shoqërohej në këtë takim nga ministrat Ahmetaj, Gjiknuri dhe Nikolla. Ndërsa pala kineze përfaqësohej nga ministri i Jashtëm, ministri i Tregtisë, kryetari i Bashkisë së Tianjin dhe Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit Shtetëror.

Top Channel