PD, nis punën grupi i Shëndetësisë

10/09/2014 00:00

Partia Demokratike kishte njoftuar pak ditë më parë se do të niste krijimin e grupeve të punës që do të merreshin me oponencën e çdo projektligji të hartuar nga deputetët e mazhorancës Rama-Meta, të cilat normalisht duhej të ishin kundërshtuar nëpër komisionet përkatëse të Parlementit të Republikës së Shqipërisë, por që ky institucion është bojkotuar me vendim të liderit të forcës kryesore të opozitës, Lulzim Basha.

Ndër të tjera, deputetja e PD Albana Vokshi bëri të ditur çështjet e diskutuara në grupin e punës për Shëndetësinë dhe Çështjet Sociale, duke u shprehur:

“Ishte mbledhja e parë e anëtarëve të grupit për Shëndetësinë dhe Çështjeve sociale, në të cilën u diskutua e gjithë rruga që do të ndiqet në vijim me shqyrtimin dhe oponencën tonë dhe u hartua një kalendar, sipas të cilit do të ndiqen të gjitha projektligjet e hartuara nga Parlamenti. Javën që vjen do të kemi edhe diskutime për projektligjet e tjera që do të vijnë në komisionin përkatës, ndërsa sot u diskutuan çështje të ndryshme të sektorit të Shëndetësisë, që siç e ndieni edhe ju, është në ditën e saj më të zezë, për shkak të probleme që po prekin të gjitha aspektet kryesore të saj, të cilat duhen të jenë të pavarura nga qeveria. Kjo ishte mbledhja e parë e anëtarëve të PD në grupe pune, pas bojkotit të Parlamentit për shkak të dhunimit të njërit prej deputetëve tanë, të dhunimit të fjalës së lirë dhe të heshtjes, që qeveria e Rama-Metës kërkon. Megjithatë, ne nuk do të heshtim dhe do të bëjmë oponencë ndaj të gjitha projektligjeve të kësaj mazhorance, duke thënë fjalën tonë”, u shpreh Vokshi.

Top Channel