I ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” ishte deputeti i Partisë Demokratike, Genc Pollo, i cili foli për bojkotin parlamentar nga ana e opozitës, gjithashtu edhe për referendumet lokale.

Zoti Pollo tha se askush më shumë se PD-ja nuk do të donte sot të ishte sa më aktive në Parlament, por sipas tij situata e krijuar nga ana e mzhorancës është krejtësisht e papranueshme.

Mbi referendumet lokale, Pollo shtoi se në PD kanë ardhur shkresa nga këshilltarë, të cilët sipas tij janë më shumë socialistë se demokratë.

Pandi Gjata: Cilat janë disa nga temat kryesore që keni prekur gjatë takimeve të ditëve të fundit edhe me ambasadorët?

Genc Pollo:
Temat që preken me partnerët e huaj janë tema që janë shqetësimi ynë, por që janë edhe shqetësimi i tyre. Shqipëria duhet të bëjë hapa përpara drejt BE-së. Mali i Zi një vit pasi mori statusin e vendit kandidat hapi negociatat e anëtarësimit. Qeveria “Rama” ende nuk është shprehur nëse ka një objektiv kohor për hapjen e këtyre negociatave. Ajo që ne shohim, që nga marrja e statusit, jo një përpjekje e re, por është përkeqësimi i standardeve të arritura kohë më parë, i gjërave bazike që në gjuhën e BE-së quhen “Kriteret e Kopenhagenit”. Konkretisht kemi patur një përpjekje për të kapur institucionet kur opinioni publik dhe partnerët europianë kërkojnë një reformë të konsultuar dhe të mirëmenduar në drejtësi. Kemi pasur agresionin ndaj oratorëve të opozitës nga njerëz që kanë një të kaluar kriminale. Duket që ka një frymëzim, në mos një udhëzim konkret nga vetë zoti Rama. Ne kemi pasur në Kuvendin e Republikës edhe deputetë të plagosur nga deputetë të tjerë. Kam qenë prezent kur Azem Hajdarin e ngritën për ta çuar në ambulancë, por Fatos Nato, që atëherë ishte kryeministër, doli rreth 30 minuta më vonë dhe tha që krimineli të dënohet sipas ligjit. PD ka kërkuar që distancimin nga agresori dhe nga akti agresor ta bënte dhe Kryeministri aktual.  

Pandi Gjata: Dhe kjo solli edhe bojkotin parlamentar nga PD-ja. Ambasadorët e mbështesin PD-në në këtë bojkot parlamentar?

Genc Pollo: Askush më shumë se PD-ja nuk do të donte sot të ishte sa më aktive në Parlament, por dëshiron të jetë në kushte normale. Anormaliteti është konkret, nuk është imagjinar, nuk është i supozuar. Ka pasur 45 ditë, ndoshta edhe më shumë, që zoti Rama mund të dënonte aktin e deputetit të tij. Ka 45 ditë që PD-ja ka kërkuar për ditë që ai të shprehet dhe e vetmja shprehje që ai ka thënë, “ky ka dëshmi penaliteti dhe rezulton i pafajshëm”, kjo është qesharakë.

Pandi Gjata: Sa do të zgjasë bojkoti?


Genc Pollo:
Ne kemi një opozitë në Parlament dhe për një mazhorancë. Opozita në Parlament ka një të drejt kryesore, e cila është ajo e fjalës, këtu kemi të bëjmë me një agresion pas një fjalimi të zotit Strazimiri.

Pandi Gjata: Zhvillimet aktuale janë vërtet të rëndësishme. Kryetari i opozitës u angazhua në një proces bisedimi me zotin Nishani dy ditë më parë, për zgjedhjen e guvernatorit të ri, por duket se me qëndrimin tuaj jashtë Parlamenti nuk do të shpreheni me votë për emrin e ri. Deri në këtë, kur zoti Rama është shprehur se emri i guvernatorit të ri nuk do të jetë nga politika, por nga bota e financave. Ju jeni dakord me këtë deklaratë?  

Genc Pollo: Së pari mendoj që Presidenti i Republikës ka bërë një gjë shumë të mirë që ka thirrur Kryeministrin për të diskutuar për çështjen e Bankës Qendrore, ka thirrur edhe kreun e opozitës. Kjo është një çështje shumë serioze. Ne jemi para një fakti që Kuvendi në ditët në vijim do të marri në shqyrtim kërkesën e Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë për shkarkimin e Fullanit dhe do të hapi procesin për më tej. Këtu ka një gjë të habitshme me kërkesën e zotit Rama. Ka gjera që mazhoranca i bën me opozitën sepse kështu i kërkon Kushtetuta, por për to nuk është pyetur opozita. Tani që opozita nuk ka një rol ligjor. Sepse ligji përcakton që propozimet për guvernator vinë nga Presidenti i Republikës. Pikërisht tani që duhet të diskutojë me Presidenti, në mënyrë të pakuptueshme për mua ai kërkon të bisedojë me Bashën.

Pandi Gjata: Ju jeni të qenë se emri do të vijë nga zoti Nishani dhe do të jepni konsensusin çdo emri që vjen nga Presidenti?

Genc Pollo: Është një proces që zoti Nishani do ta sqarojë nëse ai do të konsultohet për kriteret. Unë shpresoj që të mos ndodhemi si në rastin e kandidaturave për Gjykatën e Lartë, të cilat janë refuzuar automatikisht. Por që nuk duhet të jetë nga bota e politikës është e qartë pasi këtë e kërkon edhe ligji.

Pandi Gjata: Do të jeni në Parlament në ditën që do të bëhet votimi për guvernatorin e ri?

Genc Pollo: Shpresoj shumë që të kemi një Parlament normal dhe PD të luajë rolin e saj.

Pandi Gjata: Kryeministri deklarojë dy ditë më parë se është i gatshëm nëse kreu i opozitës do të jetë dakord për t’u takuar për çështjen e guvernatorit. Mendoni se një takim i tillë mund të relaksonte edhe këtë konflikt mes mazhorancës dhe opozitës?

Genc Pollo:
E theksova edhe më parë, kjo është çështje që i takon Presidentit të Republikës.

Pandi Gjata: Në sa rajone të Shqipërisë mendoni se do të ketë referendume?

Genc Pollo: Kushtetuta parashikon që ndryshimi i kufijve të bashkive dhe komunave duhet të vijë vetëm mbasi janë konsultuar komunitetet, të cilat mund të thonë edhe jo. Na kanë ardhur shkresa nga këshilltarë, të cilët janë më shumë socialistë se demokratë, që përgjegjësitë vendore kërkojnë që kjo të rrëzohet sepse ata janë kundra. Ka një grup të veçantë që po shqyrton këto kërkesa. Këto janë kërkesa që vijnë nga njerëzit e komunave dhe bashkive, shpesh herë ndodh që janë 3 firma demokratësh më shumë, por në plotë raste janë socialistët që e kanë kërkuar dhe i janë drejtuar opozitës.

Pandi Gjata: Opozita do t’i bojkotojë zgjedhjet lokale? Duket sikur ka një kontraditë në atë që thuhet, nuk do t’i bojkotojmë, por nuk do të shkojmë në zgjedhje me këtë ndarje.

Genc Pollo: Kjo është një tezë e sajuar. Kryesorja është që kjo është një hartë që nuk i shërben administrimit lokal, nuk i shërben funksionalitetit të pushtetit. Ashtu siç janë krijuar bashkitë janë vetëm për avantazhe elektorale për mazhorancën.

Pandi Gjata: Pra me këtë ndarje ju nuk shkoni në zgjedhje?

Genc Pollo:
Kjo ndarje duhet të ndryshojë.

Top Channel