Bashki-qeveri, polemika për altarin e Papës

10/09/2014 00:00

Edhe vizita e Papa Françeskut duket se po nxit debate ndërmjet Bashkisë së Tiranës dhe pushtetit qëndror. Këtë radhe si objekt konflikti po shërben altari ku do të mbajë meshën ati i shenjtë, për të cilin po kujdesen institucionet tona.

Veprimi i kryeministrit Edi Rama, i cili publikoi në Facebook fotot se si do të jetë altari ku Papa do të mbajë meshën, ka nxitur Bashkinë e Tiranës të bëjë publike se ky altar është mundësuar me fonde te saj.

“Bashkia, krahas punëve publike që po kryhen, si restaurimi i shatërvanit, shkallët e universitetit, etj, ka marrë përsipër të suportojë dhe financojë atë çka është pjesa më e rëndësishme e festimeve të asaj dite: altarin e Papës, prej nga ai do të drejtojë meshën e shenjtë. Ky financim prej 50 mijë eurosh ka qenë kërkesë e Kishës Katolike, që iu drejtua bashkisë për ndihmë, në mungesë të kapaciteteve për të përmbushur detyrimet ndaj kësaj dite”, deklaroi Arben Skënderi, drejtor për kulturën në Bashkinë e Tiranës.

Ardhja e Papa Françeskut në Tiranë konsiderohet një ngjarje e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, veçanërisht për besimtarët e krishterë dhe shumë pak prej tyre do të ishin të interesuar të dinin në mënyrë të ndarë se kush do të investojë për altarin apo kush do të mundësojë makinën me të cilën do të udhëtojë Papa.

Por edhe në raste të tilla duket se dy pushtetet, ai qëndror dhe ai lokal nuk mund të mos heqin dorë nga të tilla fërkime të cilat veçse i japin shije të keqe përgatitjeve për këtë ditë të rëndësishme.

Top Channel