“Rama n’burg, Berisha n’burg”, pas marshimit nëpër kryeqytet, disa protestues rikthehen para Kryeministrisë, të tjerë vijojnë lëvizjen në këmbë Nga Pusteci, ambasadori amerikan Alexander Arvizu ka kërkuar një hetim të pandikuar nga politika sa i takon çështjes së Bankës së Shqipërisë dhe nga ana tjetër ka theksuar se guvernatori i ri duhet të ketë aftësinë dhe përgjegjësinë e nevojshme për të drejtuar këtë institucion.
“E rëndësishme është që SHBA do të donte që procesi të jetë i depolitizuar. Kjo është e rëndësishme edhe për çështjen e hetimit, i cili do të vijojë, por pa patur injeksionin e politikës.
Përsa i takon qeverisjes së administrimit në Bankën e Shqipërisë, ndonëse informacioni është akoma duke ardhur, duket qartë se ka patur të meta e boshllëqe.
Dhe këto duhet të adresohen sa më shpejt të jetë e mundur dhe në mënyrë që të restaurojnë besimin e qytetarëve në integritetin e operacioneve apo veprimeve të bankës.
Sa i takon zgjedhjes së guvernatorit të ri, Këshilli Mbikëqyrës është me rëndësi që të gjejë persona kompetentë e të kualifikuar, që të jenë përgjegjës që japin dhe marrin përgjegjësi për veprimet e tyre.
Banka luan rol kritik në stabilitetin dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë dhe aktualisht ka shenja të rimëkëmbjes së ekonomisë. Ne e mbështesim këtë, por duhet të ketë veprim të normalizuar të bankës.
Kam dëgjuar disa spekullime në lidhje me këtë dhe besoj që fokusi duhet të jetë mbi personin e duhur për punën. Duhet të jem i qartë në këtë, kur bëhet fjalë për shqiptarë të kualifikuar nuk mendoj në fakt që ka me pakicë.
Me mendjen time mund të flas për 6 persona të majtë dhe 6 të djathtë. Nuk do t’i them cilët janë, por mendoj se do ishin shumë të aftë.
Pra, pyetja është: a është politika shqiptare e përgatitur që të shikojë te shqiptarët e kualifikuar dhe të punojnë së bashku në interes të vendit? Nëse po, atëherë ka kandidatë shqiptarë.
Në rast të kundërt, në përgjithësi përvoja ime më ka mësuar se një pjesë e shqiptarëve mendojnë se të huajt janë më objektivë dhe jo subjektivë në lidhje me disa marrëzi që ndodhin këtu në Shqipëri”, deklaroi Arvizu.
Këto deklarata ambasadori amerikan i bëri pas takimit që pati me kryetarin e komunës Pustec, ku u diskutua edhe për kundërshtitë e komunitetit që ai drejton për ndarjen e re territoriale.
Top Channel