PD: Kriza ekonomike po thellohet

09/09/2014 00:00

Partia Demokratike ka deklaruar të martën se, treguesit ekonomikë në vend po përkeqësohen dita-ditës dhe kriza ka filluar të flasë me shifra tronditëse.

“Vetëm në dy muajt e fundit janë 1.113 biznese e kompani që i janë shtuar listës së debitorëve të zyrës së tatim-taksave. Ky është një alarm për situatën e vështirë në të cilën gjendet sipërmarrja në vend, për shkak të rritjes së barrës fiskale nga qeveria dhe për shkak të mungesës së investimeve e rënies ekonomike në përgjithësi”, ka deklaruar Dorian Teliti, ekspert i ekonomisë pranë selisë blu.

Sipas tij, situata shpjegohet fare thjeshtë: bizneset nuk kanë punë dhe nuk paguajnë dot taksat, tashmë 50 për qind më të larta se më parë.

“Në këto kushte do të thotë mijëra vende pune të humbura. Ky është realiteti. Gjithçka tjetër është propagandë dhe mashtrim qeveritar. Sukseset imagjinare në kokat e qeveritarëve dhe në fushatat publicistike nuk ndihmojnë askënd”, ka thënë Teliti.

Ai ka shtuar se, taksat e larta, arbitrariteti qeveritar dhe niveli zero i investimeve publike janë kushtet në të cilat ndodhet sot sipërmarrja shqiptare, “që po shkon drejt falimentimit”.

Top Channel