Adrian Civici, një nga 6 anëtarët e mbetur të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, ka dhënë dorëheqjen nga detyra.

Në një letër drejtuar Kuvendit, zoti Civici sqaron se e ndërmerr këtë akt për t’i hapur rrugë ristrukturimit të Bankës së Shqipërisë dhe forcimit të këtij institucioni.

Civici bëhet kështu anëtari i parë i Këshillit Mbikëqyrës që jep dorëheqjen pas skandalit të vjedhjes së thesarit, që kulmoi me arrestimin e ish-guvernatorit Ardian Fullani dhe inspektores së përgjithshme të bankës, Elivar Golemi.

Ndërkohë, anëtarët e tjerë të mbetur në Këshill, të paktën deri më tani nuk kanë pranuar të dorëhiqen, pavarësisht presionit në rritje nga opinioni publik.

Adrian Civici, që njihet si një nga figurat më pak të lidhura me politikën brenda Këshillit Mbikëqyrës, ka dhënë që më parë sinjalet se mund të largohej.

Në një dalje publike para disa ditësh ai deklaroi se, përballë kësaj situate dorëheqja është mendimi i parë që vjen në mend, por do të qëndronte në Këshillin Mbikëqyrës derisa të merrej vendimi i prokurorisë dhe të sqarohej situata.

Pak ditë më parë, zoti Civici së bashku me anëtarë të tjerë të këshillit u thirr për të dëshmuar në prokurori mbi vjedhjen e thesarit, çka duket se ka qenë dhe veprimi i fundit i tij si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës.

Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, antarët e Këshillit informojnë Kuvendin për dorëhqje jo më pak se një muaj përpara. Kjo do të thotë se Kuvendi ka maksimalisht një muaj kohë për të emëruar anëtarin tjetër, por mund ta bëjë këtë edhe përpara këtij afati.

Top Channel