Arkeologët grekë gjatë vazhdimit të gërmimeve, duke depërtuar në thellësi të një varri të lashtë maqedonas në tumbën e kodrës Kasta në Amfipolis, që vlerësohet nga koha e mbretërimit të Aleksandrit të Madh, kanë zbuluar dy kariatida (statuja të femrave të lashta greke) me vlera të jashtëzakonshme.

Në fotografitë e publikuara nga Ministria greke e Kulturës duken qartë se këto dy statuja janë të një cilësie të jashtëzakonshme artistike, të punuara me mermer nga Thasos, në një mur të brendshëm që krijon një ndarje, e cila të çon në një dhomë të dytë ku besohet të jetë varrosur një person me shumë rëndësi i kësaj periudhe të famshme historike.

Fytyra e kariatidës perëndimore është ruajtur pothuajse e paprekur, kurse asaj nga pjesa lindore i mungon. Sipas njoftimit të Ministrisë greke të Kulturës, dora e djathtë e njerës kariatidë dhe dora e majtë e tjetrës janë të drejtuara në atë mënyrë që shprehin një gjest i cili simbolizon ndalimin e hyrjes në varr.

Me pak fjalë, ndiqet e njëjta teknikë si në kokat dhe krahët e sfinksëve, të zbuluar disa ditë më parë. Mbi statujat janë ruajtur gjurmë me ngjyrë të kuqe dhe blu, ndërsa janë gjetur pjesë të tyre të shkëputura si pjesë te pëllëmbës dhe pjesë më të vogla nga gishtat e tyre.

Që prej njoftimit të gjetjes së varrit në muajin gusht e deri më sot, zbulimet e reja që bëhen çdo ditë tregojnë një stil të pasur arkitektonik dhe një estetikë të jashtëzakonshme, duke ngjallur një interes të madh në gjithë mediat ndërkombëtare.

Varri në fjalë ndodhet rreth 90 km në veri-lindje të Selanikut dhe daton në periudhën e hershme helenistike mes viteve 325-300 para Krishtit, pikërisht në kohën e sundimit të Mbretërisë Maqedonase të Aleksandrit të Madh, i cili vdiq në vitin 323 para Krishtit.

Sipas zërave të ndryshëm, ai mund t’i përkasë një miku, mbretit trashëgimtar apo edhe gruas së tij Roksanës, një princeshë persiane, bashkë me të birin, që kanë vdekur rreth vitit 310  në Amfipoli.

Komuniteti arkeologjik gjithashtu po debaton nëse ky monument është i plaçkitur apo dëmtuar në këto dy mijëvjeçarë, pasi është zbuluar një tunel i vogël në një prej mureve të brendshme të tij, por autoritetet e Ministrisë së Kulturës theksojnë se kjo do të qartësohet vetëm kur të arrihet të gërmohet deri në zemër të varrit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA