Rama: Mbështetje për sistemin bankar

08/09/2014 00:00

“Asnjë figurë politike e djeshmja apo e sotmja nuk është pjesë e procesit”. Pasi ka takuar ekipin drejtues të Bankës së Shqipërisë për t’i shprehur mbështetjen e qeverisë dhe garantuar qytetarët se stabiliteti financiar i vendit është i pacënuar, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një konferencë për shtyp në ambientet e Kryeministrisë.

Pyetjet kishin të bënin me atë që do të pasojë Ardian Fullanin pas 10 vitesh në pozicionin e guvernatorit të Bankës së Shqipërisë: “Duhet guvernator që të përshëndetet menjëherë nga partnerët tanë ndërkombëtarë. E sigurtë që do të vijë nga sistemi, që do të thotë nga sistemi financiar dhe bankar.”

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një reformë të thellë të këtij institucioni që siç u shpreh ai, ky episod dramatik të mos përsëritet më dhe prej të cilit Banka e Shtetit do të dalë më e fortë dhe transparente. Në këtë pikë, kryeministri tha se do të ndërmerren ndryshimet e nevojshme ligjore, ndërsa referuar Këshillit Mbikqyrës u shpreh se do të ecet shpejt, por pa u ngutur, duke respektuar pavarësinë e institucionit.

“Nuk është një proces ku shumica duhet të përdorë kartonat për të vënë nën kontroll Bankën e Shqipërisë apo për ta pozicionuar aty ku mund të pozicionohen profile që polizojnë procesin dhe nuk forcojnë reputacionin e Bankës së Shqipërisë”, deklaroi kryeministri.

Top Channel