Basha takon Nishanin për bankën

08/09/2014 00:00

Sipas ligjit për Bankën e Shqipërisë, Presidenti i Republikës është ai që ia propozon Kuvendit emrin e guvernatorit të këtij institucioni dhe, pasi Këshilli Mbikëqyrës i propozoi Kuvendit shkarkimin e zotit Fullani, Presidenti ka nisur konsultimet për guvernatorin e ri.

Pas takimit me kryeministrin Rama, Presidenti Nishani është takuar edhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili, në një njoftim të shkurtër, vlerësoi së pari rolin e Presidentit në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar në vend.

Gjate takimit me Presidentin, zoti Basha theksoi qëndrimin e opozitës se, garantimi i pavarësisë së Bankës së Shqipërisë dhe qendrueshmëria e politikës monetare janë të një rëndësie jetike për ekonominë e vendit dhe të qytetarëve.

Takimi mes Presidentit dhe kreut të Partisë Demokratike ndodh në një kohë kur opozita është jashtë Parlamentit dhe, sipas të gjitha gjasave, nuk do të ketë rastin të shprehet me votë për propozimin e Presidentit.

Megjithatë, kur u pyet nga gazetarët, nëse e shihte këtë një rast edhe për një bashkëpunim me opozitën, kryeministri adresoi shqetësimin kryesor të Partisë Demokratike për këtë çështje dhe tregoi një gatishmëri të pazakontë për t’u takuar me kreun e opozitës, nëse ai do ta donte këtë.

“Unë thashë dhe e përsëris, që ne nuk do të përdorim shumicën që kemi, për të politizuar procesin apo për të cënuar pavarësinë e Bankës së Shqipërisë. Nëse opozita do ta shohë këtë moment, si moment të rëndësishëm për t’iu rikthyer detyrës, sigurisht, ne e mirëpresim dhe unë jam gati të takohem me kryetarin e opozitës, ose me kryetarin e Partisë Demokratike më saktë, për të shkëmbyer pikëpamjet në lidhje me këtë, por nuk kam një ftesë për të bërë, sepse boll ftesa më janë refuzuar, por jam i hapur për çdo ftesë dhe komunikim, nëse kanë diçka për të komunikuar dhe për të thënë”, u shpreh kryeministri Rama.

Top Channel